Vllaznia e femrave në futboll që nga dita e djeshme ka mësuar rivalet e saj në edicionin e sivjetëm të Champions League. Vajzat shkodrane do të jenë në grupin e 10-të, atë të fundit të këtij shorti dhe përballë saj shorti i ka vënë ekipin kampion të Bosnjës, atë SFK 2000 Sarajevo, kampionen e Greqisë PAOK të Selanikut dhe kampionen e Luksemburgut Bettembourg. Ndeshjet e kësaj faze të parë të Champions League, do të zhvillohen në datat 22-28 gusht në Bosnjë.
Duke folur në lidhje me këtë short, për gazetën “SHKODRA SPORT”, presidenti i ekipit shkodran Lazer Matija është shprehur: “Besoj se është një short i pranueshë. Kuptohet që ekipet kampione të Bosnjës dhe Greqisë janë me koefiçent më të lartë në renditje se Vllaznia por kjo nuk do të thotë se nuk do tentojmë për t’i mundur. Natyrisht që duhet të punojmë shumë gjatë kësaj periudhe, për të ingranuar edhe më shumë në ekip lojtaret e sapoardhura por trofeu që fituam në Greqi, na ka dhënë më shumë besim në vetvete dhe ndoshta ka ardhur momenti historik i kalimit të turit të parë të Ligës së Kampioneve nga skuadra kampione e Shqipërisë”.
© shkodrasport.com