Sot në stadiumin “Loro Boriçi” është luajtur ndeshja e javës së dytë të kampionatit kombëtar të futbollit të femrave në mes Vllaznisë dhe Tiranës. Ekipi shkodran ka fituar me rezultatin e pastër 4-0 falë golave të shënuar nga Bajramaj (2), Bajraktari dhe Doçi.

Pas kësaj ndeshje ka folur për gazetarët edhe presidenti i Vllaznisë Lazer Matija i cili ndër të tjera ka thënë se priste të kishte përballë një Tiranë më të fortë.

“Ekipi mendoj se zhvilloi një ndeshje të mirë përgjatë gjithë 90 minutave, me raste, me gola dhe e dominuam lojën në të gjithë aspektet dhe mendoj se është një kënaqësi kur ke një ekip të tillë përballë.

Që përpara ndeshjes e dinim që do të fitonim sepse ekipi është i formatuar për këto rezultate. Sot kishim përballë një emër të madh si Tirana por jo një ekip me futboll të madh. Ai për asnjë moment gjatë 90 minutave nuk shfaqi asgjë në fushë.

Unë e prisja në fakt të ishte më i fortë dhe ky të ishte për ne një test serioz ngaqë të enjten do të luajmë në Shkodër me kampionen e Bjellorusisë.

Vllaznia ndaj Tiranës nuk e vuri për asnjë moment në diskutim fitoren, e mundi kundërshtarin me rezultat të pastër dhe madje ai mund të kishte qenë edhe më i thellë”-ka thënë presidenti Matija. /SHKODRA-SPORT.COM/