Prej vitesh futbolli ka prodhuar skuadra kampione, futbollistë e trajnerë kampionë. Por pas viteve ’90 në Shqipëri ka edhe presidentë kampionë. Pikërisht ata që kanë investuar për këto ekipe dhe i kanë ngritur ato në nivele më të larta.

Historia e presidentëve të suksesshëm në vendin tonë nis herët me italianët e “Abacco” tek Partizani, për të vazhduar me Metush Seferin e Tiranës, Myftar Çelën e Vllaznisë, El Sayed të Tiranës, Besnik Sulajn e Dinamos, Arben Lazen e Elbasanit, vëllezërit Nuri, Refik Halilin tek bardheblutë, Valter Fushajn po tek Vllaznia, Agim Zeqon e Ardian Takajn tek Skënderbeu, Safet Gjicin tek Kukësi, Pashk Laska tek Laçi etj.

Por në fakt asnjëri prej tyre nuk është presidenti më i suksesshëm në futbollin shqiptar. Asnjëri prej tyre nuk ka fituar aq shumë trofe sa protagonisti i këtij shkrimi.

Bëhet fjalë për presidentin e Vllaznisë në futboll për femra, Lazer Matija. Me trofeun e Kupës së Shqipërisë të fituar pak ditë më parë duke mundur në finale 3-0 Apoloninë, ka koleksionuar të 16-tin trofe të tij personal si president!

Po, po, mëse e vërtetë. Ka fituar plot 16 trofe deri më tani dhe me siguri që ky numër do të vazhdojë edhe më tej. Nga to, 8 janë tituj kampionë, 7 janë Kupa të Shqipërisë dhe 1 Superkupë.

Gjithçka ka nisur në sezonin 2010-11 kur atëherë ai drejtonte ekipin e femrave të Adës dhe fitoi titullin e parë kampion. Po atë sezon ka fituar edhe Kupën e Shqipërisë. Më pas fiton titullin edhe në sezonet 2011-2012 dhe 2012-2013.

Më 29 gusht të vitit 2013 fiton me Adën edhe Superkupën (e vetmja e zhvilluar deri tani) ndaj Juban Danja me rezultatin 4-0 dhe këtu mbyllet “cikli” i Adës sepse ky ekip do të ndryshonte emër dhe më pas do të quhej “Vllaznia”.Me emrin “Ada” presidenti Matija kësisoj koleksionoi 5 trofe, pra 3 tituj kampion, 1 Kupë të Shqipërisë dhe 1 Superkupë.

Por ai nuk do të ndalej këtu. Ecuria me Vllazninë do të ishte edhe më e suksesshme sepse prej 6 vitesh askush “nuk i del përpara”. Ka fituar gjithçka që ka qenë e mundur deri më tani. 5 tituj kampion dhe 6 Kupa të Shqipërisë. Pas dy muajsh me shumë të ngjarë do të shijojë edhe titullin e gjashtë rradhazi kampion.

Megjithatë pa shkuar atje, trofetë aktual që Lazer Matija ka koleksionuar si president deri më tani janë plot 16. Si askush tjetër dhe kjo e bën atë të veçantë.

Shumëkush mund të mendojë se është e lehtë të fitosh trofe në futbollin e femrave sepse cilësia është e dobët. Në fakt gabojnë. Ky lloj futbolli ka vështirësi dhe më shumë ndoshta se ai i meshkujve sepse edhe problematikat janë edhe më të mëdha.

E provuan të ndërtojnë ekipe femrash dhe të investojnë në to edhe Safet Gjici tek Kukësi, Ardian Takaj tek Skënderbeu apo tashmë po e provon edhe Koço Kokëdhima tek Apolonia, por nuk po ia dalin ta sfidojnë këtë njeri.

Për të gjitha këto merita, për të gjitha këto trofe që po i dhuron Shkodrës, Lazer Matija ndoshta e meriton një vlerësim. Ky është minimimi i respektit që ky qytet duhet të tregojë për këtë njeri i cili jo më kot është presidenti më me shumë trofe në futbollin shqiptar.
© shkodrasport.com