Besëlidhja nën drejtimin e trajnerit Dritan Smajli u grumbullua të hënën pasdite për të startuar punën për ndeshjen e javës së dytë kundër Murlanit.

Takimi do të luhet në transfertë, të shtunën e 28 shtatorit. Para nisjes së javës stërvitore, skuadra ka zhvilluar analizën e ndeshjes së parë, ku përveç stafit teknik, ishte i pranishëm edhe presidenti Xhulio Noka. Nisja me fitore e sezonit të ri e ka ngritur maksimalisht moralin e skuadrës.

Më pas, presidenti Xhulio Noka enkas për “Panorama Sport” reagoi me një deklaratë për kartonin e kuq, me të cilin u ndëshkua kapiteni Klejdi Dibra dhe penalltinë e dhënë në favor të skuadrës së Albanëve. “Pjesa e parë, deri në momentin e dhënies së penalltisë, po shkonte mirë.

U zhvillua një lojë e kënaqshme me një gjykim korrekt. Penalltia e pamerituar u bë shkak edhe për ndëshkimin e kapitenit Dibra me karton të kuq. Ky ishte produkt i gabimit të asistentit të dytë, i cili akordoi penalltinë për miqtë. Albanët arritën të shënonin gol të rregullt, pasi topi e kishte kaluar vijën fatale.

Kështu, kapiteni Dibra e mori topin në dorë për ta rinisur lojën shpejt nga qendra. Anulimi i golit na la ne me 10 futbollistë, gjë që e sforcoi shumë ekipin. Këto gabime të gjyqtarëve e dëmtojnë shumë futbollin, prandaj kërkojmë nga FSHF-ja që të merren masa. Me ekipin jam i kënaqur, por kërkoj më tepër pasi mundësitë janë”, u shpreh presidenti Xhulio Noka.