Besëlidhja është në kulmin e përgatitjeve për javën e 16-të, që do ta luajë në shtëpi me Dinamon. Të dyja skuadrat lakmojnë fitoren, ndaj pritet një ndeshje vërtet e luftuar.

Kështu e parashikon edhe Gjok Noka, ndonëse u garanton kryeqytetasve “Fair Play” në Lezhë. Gjatë një bisede me “Panorama Sport”, presidenti shprehet i qetë edhe për objektivat dhe nuk i druhet aspak mbijetesës.

“Pozicioni momental që mbajmë në tabelë, nuk na tremb. Kam besim të plotë tek ekipi që do t’u kthehet fitoreve. Ne nuk luftojmë për mbijetesë, por për katërshen e parë. Pikët që kemi në dispozicion deri në mbylljen e fazës së dytë, mjaftojnë për t’u rikthyer në zonën ‘play off’ dhe për këtë jemi të qetë.

Tani në radhë kemi Dinamon, një ndeshje që po e vlerësojmë si gjithë të tjerat. Në Lezhë kemi zhvilluar gjithnjë ndeshje model nga të gjitha pikëpamjet, kështu që edhe ndaj Dinamos do të ketë ‘Fair Play’. Thënë ndryshe, do të jetë një miqësore e vërtetë. Kush të gabojë më pak, le të fitojë. Kush të shënojë gol, ta gëzojë trepikëshin”, përfundoi Noka.