Mesfushori shkodran Albert Kaçi pritet të jetë pjesë e Vllaznisë për vazhdimin e sezonit. Kjo në kuadrin e zhurmës së merkatos. Një prej emrave që po diskutohet shumë është ai i këtij futbollisti. Por sot në media, presidenti i Besëlidhjes Gjokë Noka është shprehur ndryshe. Sipas tij, shkodrani ka kontratë me Besëlidhjen deri në fund të këtij sezonit. Gjatë këtyre ditëve ai është parë në stërvitje me Vllazninë, edhe pse mesfushori nuk do ta ketë të lehtë që të luajë për shkodranët. Presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, në lidhje me Kaçin është shprehur: “Duke u nisur nga pretendimet e Vllaznisë për të marrë mesfushorin Albert Kaçi, dua të sqaroj publikisht klubin shkodran, si dhe të tjerët, që ndoshta kërkojnë mesfushorin në fjalë, se të paktën edhe për pesë muaj ai do të jetë pjesë e Besëlidhjes. Ta harrojë Vllaznia se mund ta bëjë zyrtarisht Kaçin të vetin pa përfunduar kontratën me mua, që është deri në fund të këtij sezoni. Lejen për t’u larguar nga Besëlidhja do ta marrë vetëm atëherë kur Vllaznia, apo ndonjë klub tjetër që është i interesuar për të, të paguajë së pari detyrimin për kartonin e lojtarit”. Vetë lojtari mendon ndryshe duke pretenduar se i ka përfunduar kontrata me lezhjanët. Kësisoj me shumë mundësi, edhe kjo çështje ka për të përfunduar në Federatë për t’u zgjidhur.
www.shkodrasport.com