Ndeshja e nesërme ndaj Ilirisë duhet fituar patjetër. Për Adën duket se nuk ka rrugë tjetër, me përjashtim të marrjes së tre pikëve në këtë ndeshje. Në kushte të tilla, pritet një sfidë shumë e fortë ku mbi të gjitha do ketë një dëshirë të madhe të velipojakëve për të marrë një rezultat pozitiv. Këtë e ka bërë të ditur për gazetën tonë presidenti i tyre Alfred Pjetri. Në një prononcim të tij të sotëm për www.shkodrasport.com, ai është shprehur:
“Janë edhe shtatë ndeshje deri në fund të kampionatit dhe sigurisht që situata nuk është shumë e mirë për ekipin tonë. Në kushte të tilla duhet të tentojmë të marrim me çdo kusht fitoren ndaj Ilirisë. E shoh si një ndeshje shumë të vështirë, madje ndoshta më të vështirën e takimeve të mbetura. Luajmë në fushën tonë dhe kurrsesi nuk duhet të gabojmë sepse nëse lëmë pikë sërish, atëherë çdo gjë ka përfunduar për ne. Megjithatë shpresoj të mos ndodhë kështu. Duhet të shënojmë shpejt dhe të kërkojmë pastaj të ruajmë avantazhin sepse këto tre pikë janë shumë të vlefshme për ecurinë e mëtejshme”- ka thënë ai. Për skuadrën e Adës, për ndeshjen e nesërme me Ilirinë do të jenë të gatshëm të gjithë futbollistët me përjashtim të Enis Ferlushkajt që ka plotësuar numrin tre të kartonave të verdhë dhe do jetë i detyruar të pushojë por kjo mungesë nuk pritet të përbëjë problem për trajnerin Kulli sepse do gjejë lojtarin e duhur për ta zëvendësuar. E rëndësishme është që Ada të fitojë nesër dhe të kërkojë t’i largohet sa më shumë fundit të renditjes.
www.shkodrasport.com