Ada nuk i ka bërë një nisje aspak të mirë fazës së dytë të kampionatit. Ajo në tre ndeshjet e para, ka arritur të marrë vetëm një pikë, në barazimin me Partizanin si dhe ka humbur me Lushnjën e Besëlidhjen. Presidenti i kësaj skuadre Alfred Pjetri, në një intervistë për gazetën online www.shkodrasport.com ka bërë të ditur se mosmarrja e pikëve të tjera ka ardhur edhe për shkak të gjykimeve të njëanshme dhe po ashtu edhe nga nga fakti tjetër se lojtarët e ardhur në merkaton e janarit nuk janë harmonizuar akoma ashtu siç duhet me pjesën tjetër të skuadrës. “Mendoj se në mosarritjen e rezultateve të duhura në këto tre ndeshjet e para të fazës së dytë, kanë ndikuar edhe gjykimet që i kemi patur kundër. Përveç kësaj, edhe lojtarët e ardhur në merkaton e janarit ende nuk janë harmonizuar me skuadrën megjithatë besoj se gjërat kanë për të ardhur duke u rregulluar duke filluar nga ndeshja e rradhës në Sarandë”-ka thënë ai.
Megjithatë, përbërja e skuadrës është e mirë dhe shpresat janë që rezultatet të vijnë duke u rritur, në mënyrë që Ada t’i largohet vendeve të fundit në renditje ku ndodhet aktualisht. Këtë gjë e thotë edhe presidenti Pjetri që premton rezultat pozitiv edhe në ndeshjen e rradhës me Butrintin në Sarandë.”Nëse gjykimi do jetë i rregullt, jam i bindur se në këtë ndeshje nuk do dalim pa pikë. Vërtetë jemi në pozita jo të mira në renditje megjithatë kam besim të plotë për një ngjitje shumë të shpejtë sepse mundësitë dhe përbërjen skuadra e ka”- ka thënë presidenti Pjetri.Ndeshja Butrinti- Ada do të luhet ditën e shtunë në orën 14.30 në stadiumin e qytetit të Sarandës dhe kjo do jetë prova e vërtetë e skuadrës velipojake nëse ajo do ngjitet në renditje apo do të vazhdojë të notojë në ujëra të turbullta.
www.shkodrasport.com