Humbja në shtëpi me Laçin nuk ka qënë një rezultat i mirë për korçarët që kanë zhgënjyer kështu përballë një mundësie që do të rihapte plotësisht garën sa i përket qëndrimit në Superiore, për ta bërë akoma edhe më emocionuese dhe të fortë këtë luftë në fund të tabelës.

Edhe pse fitorja ishte i vetmi rezultat që pritej në momente të tilla, ekipi nuk ka treguar grintën e duhur për të marrë maksimumin, çka ka sjellë edhe zemërimin e stafit bardhëkuq por mbi të gjitha presidencës. Menjëherë pas golit të dytë të shënuar nga kurbinasit presidenti Ardjan Takaj është parë të lerë stadiumin duke shprehur qartazi mërzinë për këtë humbje e cila në këtë pikë të kampionatit do të ketë peshë të madhe.

Numri një i klubit korçar ka qënë tejet i mërzitur nga paraqitja e ekipit të tij, aq sa nuk ka pranuar të takojë njeri pas ndeshjes. Madje, nga sa flitet në ambientet e brendshme të klubit, Takaj ka kërkuar reagim nga ekipi i tij në ndeshjen e radhës, në të kundërt pritet që të nisin edhe masat ndëshkimore për lojtarët.

I pakënaqur me qasjen që ekipi i ka bërë një ndeshjeje kaq të vështirë dhe delikate, Takaj pritet që të bëjë një mbledhje me skuadrën në Durrës gjatë kësaj jave duke vendosur edhe ultimatumet e veta, sa i takon reagimit të ekipit dhe penalitetet e rastit, nëse nuk do të plotësohet diçka e tillë. Një ultimatum ky që tregon se gjithçka po kalon limitet e durimit dhe reagimi në ndeshjen e radhës është e vetmja mënyrë për të rikthyer disi në normalitet situatën.