Humbja me Partizanin ka rikthyer edhe një herë situatën e rënduar në kampin bardhekuq. Një ndeshje që ishte përcaktuese për fatin e ekipit ka shkuar dëm, ndaj skuadrës i del për detyrë që të rinisë nga e para garën për mbijetesë. Në këtë takim kaq delikat në transfertë, korçarët kanë mungesa të rëndësishme, siç është sulmuesi Bismark.
Afrikani i Skënderbeut ka dalë i dëmtuar nga fusha me Partizanin dhe me shumë mundësi do të jetë një mungesë e madhe për korçarët në këtë takim. Gjithashtu, Merlim mori të verdhin e katërt dhe do të mungojë.
Nga ana tjetër, Shaqe dhe Randi janë të gatshëm për ndeshjen e radhës, duke i hequr një siklet të madh trajnerit Gjoka. Nga ana e tij, kryepankina korçare ende shpreson në një rikuperim “blitz” të sulmuesit kryesor të ekipit, edhe pse duket e vështirë.
Nga sa behet e ditur, mesohet se ka pasur një takim mes presidentit Takaj dhe ekipit, ku kreu i klubit korçar ka kërkuar impenjim maksimal dhe sakrificë nga çdo lojtar deri në fund te kampionatit. Takaj ka kërkuar nga të tijtë të harrojnë humbjen me Partizanin dhe të përqendrohen te transferta me Vllazninë, si një ndeshje përcaktuese për korçarët në një moment kaq të vështirë.
I bindur tek aftësitë e ekipit të tij, numri një i klubit ka dhënë mbështetjen maksimale për lojtarët duke u shprehur se kanë potencialin dhe cilësinë e duhur për të bërë një ndeshje të madhe dhe për të marrë maksimumin. Të tilla fjalë Takaj ia ka thënë ekipit fill pas ndeshjes me Partizanin, duke u munduar që të rrisë besimin dhe motivimin e lojtarëve për ndeshjet e ardhshme.