Vllaznia e basketbollit të meshkujve ka marrë përsipër rikthimin sërish në nivele të larta megjithatë më përpara i duhet që të dalë nga gjendja aspak e mirë ku ndodhet në fundin e tabelës së renditjes. Ardhja e presidentit Alban Xhaferi në krye të ekipit ka sjellë një klimë tjetër por kjo nuk mjafton. Kuqebluve u duhet patjetër që të sigurojnë fitoren e parë në kampionat dhe për më tepër, duhet të mundin të dielën rivalin e tyre kryesor, ekipin e Kamzës.
Ndeshja konsiderohet shumë e vështirë dhe jo më kot drejtuesit e basketbollit kanë marrë dy vendime të rëndësishme që mund të ndikojnë tek paraqitja e ekipit. I pari është ai i vendosjes së një autobuzi në dispozicion të tifozëve që duan të udhëtojnë drejt Kamzës për të mbështetur ekipin e Vllaznisë.
Dhe i dyti, për ekipin do të ketë shpërblim për ekipin në rast fitoreje. Këto i bën të ditura për “Shkodra Sport” presidenti Alban Xhaferi kur shprehet: “Jemi të vendosur për të rikthyer atmosferën pozitive tek ekipi dhe për këtë arsye besojmë tek fitorja të dielën ndaj Kamzës.
Për të motivuar edhe më shumë ekipin për këtë ndeshje, kemi vendosur që të vendosim edhe një autobuz në dispozicion të tifozëve për të udhëtuar drejt Kamzës dhe për të mbështetur lojtarët tanë në këtë ndeshje. Po ashtu, skuadra do të ketë një shpërblim të konsiderueshëm për fitoren. Puna që është bërë gjatë këtyre ditëve nga sportistët dhe trajnerët, na bën entuziast për fitoren e ndeshjes ndaj Kamzës dhe fillimin e kthesës së shumëpritur”.
© shkodrasport.com