Ka qenë në siklet nga fillimi e deri në fund të ndeshjes dhe më pas është parë të gëzojë në tribunën VIP krah drejtori të Sportklub Vllaznisë Mark Kroqi dhe drejtorit teknik të ekipit të basketbollit Altin Halili. Presidenti i këtij ekipi Alban Xhaferi në fund ka marrë frymë i lehtësuar sepse ekipi që ai tashmë drejton, më në fund e arriti fitoren e parë.
Kjo e ka lumturuar pa fund dhe për rrjedhojë këtë e ka shprehur edhe në prononcimin e tij për mediat pas ndeshjes kur është shprehur: “Ka qenë një ndeshje e cila na entuziasmoi sepse më në fund siguruam fitoren e parë.
Loja e ekipit po vinte gjithnjë në rritje, duke filluar nga ajo me Teutën, për të vazhduar me ndeshjen me Kamzën dhe sonte ndaj Tiranës më në fund erdhi momenti për të festuar. Gjithsesi nuk mjafton. Na pret një rrugëtim i gjatë dhe i lodhshëm dhe jam i bindur se do ta dalim”.
I pyetur në lidhje me atë se cili është objektivi i tij për të ardhmen, presidenti Xhaferi shprehet: “Padiskutim rikthimi i Vllaznisë tek titulli kampion. Nuk do të jetë e lehtë bashkë me drejtorin teknik dhe me trajneri kemi një projekt afatgjatë dhe besoj se do ia dalim. E rëndësishme është që ta kalojmë këtë moment të vështirë ku ndodhemi tani.
Më pas, të mendojmë edhe për të tjerat. Po shohim mundësinë për ta forcuar sërish ekipin. Njëkohësisht, dua t’u bëj thirrje tifozëve të vijnë ta mbështesin fort Vllazninë. Sonte ndoshta ishte moti i keq dhe temperaturat e ulëta të cilat bënë që në pallat të sportit të mos ketë shumë tifozë, por në vijim besoj se do të jetë ndryshe.
Unë dua të shkoj më tej, t’u bëj një thirrje të gjithë të rinjve dhe të rejave të merren me basketboll sepse është një sport i dashur dhe shumë i bukur”.
© shkodrasport.com