U përfol fillimisht për një italian, pastaj për një tjetër dhe në fund është një boshnjak që është përzgjedhur nga drejtuesit e klubit Vllaznia si drejtor i Akademisë së tyre. Bëhet fjalë për Sead Halilagiç i cili tashmë është zyrtarizuar në krye të Akademisë Vllaznia.
Ai vjen me përvojën e tij dyvjeçare si drejtor i Akademisë së klubit të njohur turk Beshiktash dhe kjo sipas presidentit Alban Xhaferi ka qenë arsyeja kryesore e zgjedhjes së tij. Ja çfarë ka thënë numri 1 i klubit shkodran për këtë emërim gjatë emisionit “Sport Show”:
“Që kur ka mbaruar sezoni, kemi pasur objektiv të marrim një drejtor akademie huaj, në mënyrë që të sjellë një eksperiencë të re në drejtimin e akademisë. Mendoj se kur kemi të bëjmë me një drejtor akademie me eksperiencë në klube të mëdha, gjithmonë ka dicka për të mësuar, duke filluar nga vendosja e metodave të reja për trajnimin e fëmijëve e të rinjve.
Ky ishte synimi im kryesor dhe sigurisht krijimi i një sistemi më të mirë te pjesa e akademisë, duke filluar nga stërvitjet, përgatitjet atletike, pjesa e ushqimit gjithashtu, pasi është një pjesë e rëndësishme që shpeshherë ne e anashkalojmë. Lojtarë në mosha të caktuara ndoshta duhet të kënë edhe dietat e tyre shumë më të mira në mënyrë që të rritet kualiteti i secilit.
Patëm disa negociata me emra të mëdhenj, kryesisht në Itali. Në fakt patëm edhe një takim atje me një trajner që për arsye etike nuk dëshiroj t’i them emrin, por në fund nuk arritëm ta finalizonim marrëveshjen për disa arsye të ndryshme. Emri i ri i Akademisë ka një eksperiencë 2-vjecare në Akademinë e Beshiktashit, dihen vlerat e klubit turk në treg. Ai është me origjinë nga Serbia. Ka luajtur me shumë skuadra si në Serbi, ashtu edhe në Turqi, por kulmi i karrierës së tij ka qënë posti i drejtorit të Akademisë së Beshiktashit, ndonëse ka bërë edhe disa profile skauti.
Mendoj se ardhja e tij ka për të qënë një moment shumë i bukur për të krijuar atë që ne kemi objektiv, të rrisim nivelin e akademisë, të përgatisim fëmijë. E vetmja sfidë e jona mbetet të përmirësojmë pjesën e infrastrukturës, pasi mund të sjellim shumë emra të mëdhenj, por pa të nuk mund të bëjmë asgjë për të ecur përpara. Ne e kemi marrë paraprakisht drejtorin e ri, i kemi treguar realitetin tonë, sepse nuk duhet të zhgënjehet”./SHKODRA-SPORT.COM/