Starti i tij në krye të Vllaznisë nuk ka qenë ai i duhuri, edhe për atë se përballë saj sonte ka qenë një skuadër shumë e fortë si Teuta. Megjithatë Alban Xhaferri, presidenti i ekipit shkodran ka besim se gjërat do të ndryshojnë në javët e ardhshme.
Në një prononcim pas ndeshjes të humbur ndaj durrsakëve, për “Shkodra Sport”, presidenti i Vllaznisë është shprehur: “Kuptohet që pas një humbje askush nuk ndjehet mirë dhe prandaj edhe unë nuk ka si të jem ndryshe.
E dinim që do të ishte shumë e vështirë dhe mbase edhe e kishim menduar humbjen por jo në këto shifra. Skuadra ende nuk është ngjitur në lartësinë e duhur sepse ka vetëm pak kohë që kanë filluar ndryshimet.
Disa prej lojtarëve kishin edhe emocione, ndërkohë që dua të falenderoj përzemërsisht tifozët shkodranë që na mbështetën në këtë takim. Dua t’u them atyre se kemi nevojë për mbështetje edhe në ndeshjet e ardhshme.
Vetëm me to mund t’ia dalim ta nxjerrim Vllazninë nga gjendja ku ndodhet dhe më pas të pretendojmë edhe më shumë.
Po shoh mundësinë që shumë shpejt të marr edhe dy lojtarë të tjerë sepse kampionati është bërë shumë i fortë dhe ekipi duhet të ketë një organikë edhe më të plotë”.
© shkodrasport.com