Fitorja kundër Erzenit e ka lumturuar pa masë presidentin e Vllaznisë, Alban Xhaferi. Ai festoi me lojtarët dhe stafin teknik në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes së fundit në stadiumin e Rrogozhinës.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, kreu i klubit shkodran theksoi se skuadra është në rrugën e duhur për të arritur objektivat. Sipas tij, primare për Vllazninë është sigurimi i pjesëmarrjes në Europë. Megjithatë, Xhaferi ka bindjen se me formulën e re për ekipin kampion, edhe skuadra e tij ka shanse të mëdha për titullin në “Final 4”.
Cili është objektivi real i Vllaznisë?
E kam thënë në fillim të sezonit dhe po e riktheksoj që ne duam Kupat e Europës. Momentalisht jemi brenda objektivave, por kjo nuk do të thotë që mund të shkojmë edhe më larg. Me formulën e aplikuar këtë sezon, mund të arrihet gjithçka, që do të thotë se edhe titullit do t’i bëhet hyzmeti. Kemi edhe 16 javë deri në fazën e “Final 4”.
Pra, është një rrugë e gjatë dhe tejet e vështirë, jo vetëm për Vllazninë, por për këdo që e ka këtë objektiv. Duhet t’i marim ndeshjet një e nga një dhe më pas të shohim se ku mund të shkojmë. Skuadrës nuk i mungon gjë për të tentuar maksimumin.
Merkatoja e janarit do edhe 9 ditë që të mbyllet. Do të ketë afrime të tjera te kuqeblutë?
Merkatoja e janarit, në këndvështrimin tim, është thikë me dy presa, pasi të paktën kështu na ka rezultuar gjatë viteve të fundit. Përjashto afrimin e Bekim Balajt, nuk kemi goditur në shenjë me afrimet e tjera. Lojtarët në merkaton e dimrit vijnë pa fazë përgatitore, nuk njohin ekipin dhe atyre u duhet kohë për t’u ambjentuar. Janë drejtuesit e stafit teknik ata që bëjnë llogaritë dhe nëse do të duhet ndonjë ndërhyrje, do ta bëjmë, por gjithmonë duke qenë të kujdesshëm.