Sulmuesi shkodran, Mehdi Çoba, është vendosur në shënjestër të opinionit sportiv shkodran dhe më gjërë që pas ndeshjes me Egnatian për një sjellje jokorrekte ndaj një grupi tifozësh kuqeblu në tribunën e stadiumit “Arena Egnatia”.
Komentet e tifozëve kuqeblu në rrjetet sociale kanë qenë jashtëzakonisht të shumta, teksa bëhet fjalë edhe për një pjesë që e ka përjetuar prej së afërmi, duke qenë dëshmitar i atij reagimi të Çobës ndaj tifozëve.
Madje, ka pasur edhe fjalë, ku thuhej se futbollisti në fjalë do ndëshkohet nga ana e klubit Vllaznia dhe do të përjashtohet, por pa pasur asgjë zyrtare të konfirmuar nga klubi shkodran.
Në këto rrethana, kur po flitej për çështjen e Çobës me tifozët, në emisionin “Skaner” në MCN TV, ka ndërhyrë edhe presidenti i kuqebluve, Alban Xhaferi, për sqarimin e situatës. Ky i fundit i ka dërguar një mesazh moderatorit të emisionit, Gerti Çarçani, ku shkruhej se: “Çoba nuk është përjashtuar dhe as nuk do të përjashtohet”.
Ndoshta, në ditët në vazhdim mbetet për t’u zbuluar gjithçka rreth kësaj çështjeje, edhe për sqarimin e situatës, në mënyrë që gjërat të shikohen më me ftohtësi, qoftë nga Çoba apo edhe nga ana e tifozëve, për t’i shërbyer një normalizimi të mundshëm.
Maringlen ZHIVANI