Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, në intervistën e dhënë pas fitores 5-0 me Skënderbeun tregoi se skuadra shkodran është drejt rrugës së realizimit të objektivit fillesat, që është përfshirja në katërshen e parë. Gjithsesi, në varësi të ecurisë objektivat mund të jenë edhe më të larta. Xhaferi për “MCN” tregoi se ndryshimi në stafin teknik, i ndikuar nga starti i keq, po jep rezultate dhe ekipi ndihet mirë dhe në harmoni, që e cila është konkretizuar edhe me rezultate pozitive.

Ja prononcimi i presidentit të Vllaznisë, Alban Xhaferi pas fitores 5-0 ndaj Skënderbeut:

“E kemi pasur startin e keq, u munduam të bëjmë disa ndryshime që kanë rezultuar efikase. Jam i kënaqur me fitoren, çunat fituan ndeshjen me rezultat të thellë dhe tregua karakter. Fitore me diferencë e shton gëzimin. Të ecim në këtë rrugë dhe Vllaznia të kapë katërshen e parë në fund të kampionatit.

Unë mendoj se Vllaznia e ka potencialin me konkurruar me çdo ekip. Egnatia dhe Partizani kanë apsur një shkëputje, por duke parë ekipin, cilësinë që ka brenda, gjithçka është e mundur në fund.

Objektivi real është të jemi në katërshen e parë, por sa më mirë të ecë ekipi, aq më mirë do të jetë edhe për objektivat tona të mëtejshme.

Unë mendoj se Vllaznia që në fillim është krijuar për katërshen e parë. Kemi pasur një periudhë dëmtimesh që kanë ndikuar edhe në rezultat. Ndryshimi erdhi nga rezultatet jo të mira dhe me stafin e ri ekipi është i kënaqur, ka harmoni dhe rezultatet po vijnë. Më ngroh finalizimi i Grudës, i cili ëhstë munduar shumë edhe më parë. Por falë punës së tij dhe të ekipit ka ardhur te gjetja e rrugës së rrjetës.

Mendoj se kthimi i rezultateve nga ana e skuadrës është një dhuratë për festat e fundvitit. Gjithashtu, uroj edhe grupin ‘Vllaznit Ultras’ që kanë pasur 18-vjetorin e tyre. Do të jemi pranë tyre në “Loro Boriçi” dhe t’i mbështesim në transfertë. Shpresoj që të kthejmë tifozët dhe të ndezim atmosferën në “Loro Boriçi”. Merkatoja e janarit? Vllaznisë asnjëherë nuk i kanë munguar financat, por do të mundohemi të bëjmë një merkato të zgjuar. Grupi ka cilësi dhe po ecën mirë. Pastaj dihen specifikat e merkatos së janarit. Jemi në proces për të forcuar ekipin.”