Triumfi me përmbysje ndaj Partizanit, ka rritur ndjeshëm entuziazmin te kampi shkodran. Si të mos mjaftonte kjo, qershia mbi tortë e këtyre ditëve ka qenë transferimi “big” i Bekim Balajat. Vllaznia synon që të jetë pretendente kryesore këtë sezon në Superiore.
Në një lidhje me Skype në emisionin “Sport News” të moderators Trevisa Tufa në “News 24” ishte presidenti i klubit, Alban Xhaferi i cili ndër të tjera u shpreh:
Transferimi i Balajt- Cilësinë e Balaj i dijnë të gjithë. Ne po mendonim për një goditje efikase. Ne kemi disa kohë që nuk po gjejmë vetveten në sulm.
Balaj kur doli lojtar i lirë, hymë në kontakt me të. Pjesa ekonomike ishte pjesa më e vështirë, por e zgjidhëm lehtë, pasi Balaj zgjodhi me zemër. Jam i bindur që do na ndihmojë në arritjen e objektivave. Qysh në sezonin e kaluar, kam patur kontakte me të dhe që në sezonin e kaluar kemi diskutuar për transferimin e tij.
Titulli- Balaj duhet të përformojë që të justifikojë veten e tij. Kemi një grup të mirë. Duhet kujtuar që ne kemi patur disa dëmtime të rëndësishme, mendoj që edhe stoli po bën mirë. Shpresoj që të arrij objektivat.
Merkato- Nuk dua të flas shumë për negociatat. Mund të ketë edhe një transferim lojtari. Mendoj se jemi të kompletuar.
Është një dashamirës që i dha premio skuadrës pas fitores me Partizanin. Mund të themi që është një dashamirës” – deklaroi Alban Xhaferi.