Pesë ndeshje pa fitore në kampionat dhe eliminimi nga Kupa e Shqipërisë në fazën gjysmëfinale, bënë që trajneri Qatip Osmani të mos arrijë të mbyllë sezonin në stolin e Vllaznisë.

Klubi kuqeblu komunikoi mbrëmjen e të enjtes marrëveshjen për ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Osmani dhe ndihmësin e tij Livoreka, teksa i kontaktuar nga SuperSport, Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri, konfirmoi se vendimi erdhi për shkak të rezultateve jo të kënaqshme në javën e fundit.

“Sigurisht që vendimi lidhet me rezultatet e javëve të fundit. Gjithsesi, e vlerësoj jashtëzakonisht shumë profesor Qatipin për gjithë kontributin që ka dhënë te Vllaznia”, u shpreh presidenti Xhaferi.

Numri një i klubit shkodran konfirmoi për SuperSportin se zyrtarizimi i trajnerit të ri do të bëhet këtë të premte, por pa zbuluar emrin e timonierit të ri të kuqebluve.