Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, në një prononcim të dhënë për mediat pas ndeshjes, u ndal te barazimi me Dinamon.Sipas tij, skuadra pati mundësi për ta fituar ndeshjen, por ashtu si shkoi, edhe barazimi është i pranueshëm, ndaj tani do të shohin përpara.

“Humbëm disa raste që duhet të ishin shënuar dhe meritonim plotësisht fitoren. Më pas, mënyra sesi rrodhi loja, me nëntë lojtarë u bë më e vështirë për ne. Ndaj, duhet të jemi të kënaqur dhe të shohim përpara për të arritur objektivat që kemi”, u shpreh fillimisht Xhaferi.

KREU – Edhe pse lanë dy pikë në krahasim me Egnatian, e cila tani është larguar me katër pikë mbi ta, për Xhaferin ka ende kohë për të rikuperuar.

“Ka ende shumë ndeshje, janë edhe 12-të javë dhe asgjë nuk është zgjidhur. Të gjitha skuadrat shohin për objektivat e tyre dhe na duhet të shohim vetëm ndeshjen e radhës. Do të luajmë dy herë me Elbasanin, fillimisht për kampionat dhe më pas për Kupë dhe jam shumë entuziast se do t’i fitojmë të dy ndeshjet”, u shpreh Xhaferi.