Vllaznia e basketbollit të meshkujve bëhet gati të nisë një sezon krejt ndryshe këtë vit. Ajo ka lënë pas njëherë e mirë sezonin e kaluar në të cilën siguruan shpëtimin vetëm në play-out.

Drejtuesit e saj kanë nisur një projekt krejt ndryshe dhe premisat janë për të bërë gjëra të mira. Këtë ka deklaruar në një prononcim për “RSTH Sport” edhe presidenti i ekipit Alban Xhaferi kur është shprehur:

“Që në fillim synimi ynë ishte që të ndërtonim një Vllazni kompetitive që të ishte gjithmonë në majat e kampionatit shqiptar dhe normalisht me blerjet e reja që kemi bërë, besoj se jemi në rrugën e duhur. Jemi përforcuar në disa pozicione ku ekipi kishte nevojë, konkretisht në pozicionet 1, 2 dhe 4 e 5 dhe në total, në bazë të përzgjedhjeve të trajnerit kemi bërë në total 5 blerje. Mendoj se janë blerje shumë të mira.

Kur e morëm Vllazninë ishte në një situatë jo të mirë, por bëmë të gjitha përpjekjet për të ndryshuar situatën dhe ia dolëm të qëndrojmë në Superligë. Normalisht që pikësynimi im gjithnjë ka qenë që Vllaznia të jetë aty ku e meriton të jetë sepse është një emër i madh”

Xhaferi ndërkohë ka konfirmuar edhe zyrtarisht pjesmarrjen e Vllaznisë në Ligën Ballkanike për sezonin e ri e për këtë shton:

“Kemi qenë në negociata me drejtuesit e Ligës Ballkanike dhe në fund është finalizuar edhe procedura e rregjistrimit të Vllaznisë si pjesmarrës në të për edicionin e ri. Besoj se ekipi ynë ka për të qenë pjesmarrës i fortë dhe i denjë për këtë kompeticion. Shpresojmë që të jetë një kompeticion sa më i bukur dhe Vllaznia të tregojë vlerat e saj edhe aty dhe qe ka per te dhuruar emocione edhe per tifozet shkodrane sepse kjo pjesmarrje shkon edhe per ta”.

Ndërkohë presidenti i basketbollit shkodran ka folur gjatë prononcimit të tij edhe për mënyrën si ka përzgjedhur trajnerin dhe lojtarët e rinj duke shtuar:

“Ardhja e trajnerit ka qenë një moment i rëndësishëm sepse dihet që ai është arkitekti i ekipit. Procesi i përzgjedhjes së trajnerit në fakt ka qenë shumë i vështirë. Kemi patur disa kandidatura, por në fund zgjodhëm Gospodinov sepse ka një eksperiencë dhe një CV shumë të pasur. Trajneri ka qenë baza e projektit tonë, për të vijuar më pas me përzgjedhjen e lojtarëve që do të jenë pjesë e ekipit në sezonin e ri”
www.shkodrasport.com