Vllaznia e volejbollit për femra po arrin të ketë një sezon shumë pozitiv deri në këto momente. Vajzat kuqeblu kanë arritur të marrin 5 fitore nga 6 ndeshjet dhe renditen në vendin e dytë të klasifikimit.

Një meritë duket se ka edhe Florian Zekja. Tashmë president dhe mbështetësi kryesor i këtij ekipi. Në Star Sport ai foli për këtë fillim sezoni si edhe vizionin e tij për sportin e volejbollit.

Zekja u shpreh: “Unë ka vite që jam afër volejbollit shkodran. Duke mbështetur kryesisht ekipet e moshave. Por tashmë jam president i ekipit të të rriturave dhe puna që duhet bërë është akoma më e madhe. Unë jam pasionant i gjithë sporteve, por volejbolli është ai që ka një vend të veçantë në zemrën time.

Kemi ndërtuar një ekip për të qenë konkurrent në kampionat. Por puna jonë fillon që tek moshat 8-9 vjeç. Vllaznia është i vetmi ekip që ka skuadra zinxhirë me u-16, u-18 dhe u-20. Skuadra që çdo javë arrijnë që të jenë fituese ndaj kundërshtareve të tyre.

Patjetër që titulli kampion, apo i çfarëdo lloj trofeu tjetër do na jepte kënaqësi të veçantë. Por objektivat tonë nuk janë afatshkurtër. Ne duam të punojmë për vazhdimësinë që volejbolli i femrave të kthehet në një sport sa më elitar dhe të tërheqë sa më shumë vajza të reja të jenë pjesë e kësaj disipline”.