Prej dy vitesh është vendosur në krye të shoqatës së volejbollit të femrave të Vllaznisë dhe pavarësisht uljeve dhe ngritjeve, duket se tek kjo shoqatë puna po ecën mjaft mirë dhe poashtu edhe projektet për të ardhmen. Të paktën, kështu mendon presidenti i Vllaznisë në volejboll për femra, Florian Zekja.
Në një intervistë për “Shkodra Sport” në prag të ndeshjes së nesërme ndaj Partizanit, Zekja u shpreh se objektivi që kishin vendosur është arritur, pra për të hyrë edhe sivjet në mes katër ekipeve më të mira të kampionatit. Prandaj, mendon se pretendimet e volejbollisteve të Vllaznisë nesër ndaj Partizanit, nuk do të jenë për të kthyer rezultatin.
Presidenti i Vllaznisë në volejboll për femra theksoi se Partizani është një ekip i ndërtuar për të fituar kampionatin me patjetër, ndërsa shtoi se projektet për të ardhmen me vajzat kuqeblu janë për fitimin e trofeve. Më poshtë mund të lexoni edhe intervistën e presidentit të Vllaznisë në volejboll për femra, Florian Zekja, dhënë për “Shkodra Sport”, gazetarit Maringlen Zhivani.
“Nesër ndeshja e dytë gjysëmfinale ndaj Partizanit. Si e prisni?
Ndeshjen e nesërme e shoh si një ndeshje që nuk i përket nivelit tonë. Partizani është një ekip i ndërtuar për të fituar kampionatin. Ata kanë grumbulluar volejbollistet më të mira shqiptare, si edhe kanë marrë edhe dy volejbolliste nga Kuba të një niveli shumë të lartë. Mendoj se ndeshjen e nesërme pavarësisht nivelit jo të njëjtë, vajzat tona do japin maksimumin. Do jetë një ndeshje që do kontribuojë në fitimin e eksperiencës për vajzat e reja të Vllaznisë.
A synon Vllaznia për më shumë nesër?
Në fakt, duke parë edhe ndeshjen e parë, ku humbëm 3-0 në Tiranë, mendoj se pretendimet nuk janë për të kthyer rezultatin. Vajzat tona janë të reja dhe premtojnë shumë në të ardhmen, por është e pamundur që të tentojmë sado që publiku shkodran meriton vetëm fitore.
E ardhmja e ekipit?
Vajzat tona janë ato që vitin e kaluar fituan gjithçka në moshat U-20. Ato janë të gjitha të talentuara dhe plot pasion për këtë sport. Mund të them se është një grup plot me talente si Gjyshja, Miloti, Ballçiti, Erkoçi, Beci, Kodra apo edhe Malaj me në krye një kapitene të vërtetë që mendoj se Vllaznisë ka kohë që i mungon, siç është Klodeta Zhivani.
E ardhmja e këtyre vajzave të talentuara do të jetë vetëm fituese. E rëndësishme është që ne si staf drejtues dhe trajnerët Tafa dhe Haxhagiq ta mbajmë këtë grup të bashkuar dhe ta përmirësojmë që në të ardhmen të rriten sa më shumë dhe të bëhen të denja për fitimin e Superligës.
Mesazh për tifozërinë e Vllaznisë?
Tifozëria shkodrane unike në të gjithë Shqipërinë meriton shumë. Ato ishin pjesë e arritjes së objektivave tona dhe na mbështetën pa kursim në rrugën tonë plot ulje-ngritje të këtij sezoni. Mesazhi im për këtë tifozëri është se ne do të impenjohemi përherë që të japim maksimumin për të merituar rrespektin dhe duartrokitjet e tyre.
I njëjti mesazh shkon edhe për mediat lokale dhe të gjithë gazetarët sportivë që na ndjekin kudo pa kursim, sepse pa kontributin e tyre nuk do arrinim objektivat. Edhe njëherë faleminderit”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, presidenti i Vllaznisë në volejboll për femra, Florian Zekja.
Maringlen ZHIVANI