Një ndeshje miqësore e muajit shkurt mes Iranit dhe Sierra Leones, është nën hetim pasi dyshohet se është organizuar me qëllim manipulimin e rezultatit të saj.

Irani fitoi 4-0 në ndeshjen e zhvilluar në Teheran, por në mënyrë të papritur, presidentja e Federatës së Futbollit të Sierra Leones,

Isha Johansen, deklaroi se një ekip shumë i dobët, i përbërë nga të rin dhe futbollistë që luanin jashtë, kishin marrë pjesë në këtë takim pa lejen e saj.

“Unë do të propozoja që komisioni për hetimin e ndeshjeve të kontrollojë si u organizua kjo miqësore”, ishte apeli i saj në një letër që i ka dërguar FIFA-s ku ka shpjeguar se një fraksion kundërshtar i saj brenda Federatës i kishte organizuar miqësoren për të cilën ajo kishte mësuar vetëm pasi ekipi ishte nisur drejt Iranit.

Sekretari i përgjithshëm, Kristofer Kamara, deklaroi gjithashtu për BBC se firma e tij ishte falsifikuar.

Ndërsa Federata Iraniane shpjegoi se ishte detyruar që të luante takimin.

“Ta dinim më përpara, do ta anulonim, por e mësuam pasi mbërritën në Iran dhe nuk deshëm të prishnim përgatitjet tona për Botërorin”, tregoi presidenti i Federatës Iraniane, Mehdi Taj. /vipsport/