Nga Endri ÇINARI

Bylis do presë ditën e sotme Vllazninë, me shkodranët që vizitojnë ballshiotët në kuadër të javës së 15-të të Superiores. Dy skuadrat po kalojnë formë të kundërt, me kuqeblutë që nuk humbasin prej 5 ndeshjesh në kampionat, duke mbajtur vendin e dytë pas Partizanit. Dhe mallakastriotët që duan të reagojnë pasi momentalisht janë në vendin e fundit me 10 pikë pas 14 raundesh.

Dhe sot ndaj Vllaznisë shikohet si “treni i fundit” për ekipin e Dedes për të tentuar ngjitjen në tabelë. Për ndeshjen ndaj kuqebluve, duket se edhe ish-mbrojtësi e ka projektuar formacionin titullar. Që duket se nuk do ketë ndryshime të mëdha nga ndeshja e fundit e humbur në shifrat 0-2 ndaj Egantias.

Kështu nga porta do e nisë si zakonisht Hasanbelli. Me gardianin që para tij do shikojë të rreshtuar në mbrojtje Abazajn dhe Brunon si qendër mbrojtës. E ndërsa nga krahët e prapavijës do jenë të pozicionuar Marku dhe Pergjoni. Në mesfushë Peralta pritet të ketë edhe mbështetjen e Malomo dhe Ofori. Të cilët do formojnë treshen e mesit të fushës.

Në sulm ka një balotazh mes Berko dhe Gjates, me sulmuesin me pasaportë gjermane të favorizuar ndaj fierakut. Sulmuesi kryesor po ashtu do ketë mbështetjen e Sulovarit dhe Papes nga krahët e repartit të avancuar./www.shkodrasport.com/