Qendërmbrojtësi i Kombëtares shqiptare dhe njëherazi i Veronës në Serinë A italiane, Marash Kumbulla është njeriu i momentit në Europë. I shpejtë në mendim, i mirëvendosur në fushë dhe me një fizik të admirueshëm, shkodrani ka bërë për vete shumë klube që interesohen për shërbimet e tij.

Ka qenë Mundo Deportivo, e përditshmja spanjolle pranë Barcelonës, që ka lartësuar ecurinë e djaloshit shqiptar, duke e cilësuar një “mur” në mbrojtjen e Veronës, një reklamim për t’u pasur zili.

“Vetëm një mrekulli mund të mbajë Marash Kumbullën (20 vjeç) aty, duke vazhduar të luajë me Hellas Verona edhe sezonin e ardhshëm”, kështu e nis artikullin e saj Mundo Deportivo, që më pas thekson se djaloshi ndali edhe Cristiano Ronaldon gjatë këtij sezoni.

“I dalë nga akademia e të verdhëve, ai është një nga mbrojtësit më të kërkuar në Seri A. Në të njëjtën kohë, përkundër moshës së re të tij, Kumbulla konsiderohet ylli plot shkëlqim i kombëtares shqiptare, pavarësisht faktit se ka luajtur vetëm 1 ndeshje me kuqezinjtë deri tani. Napoli duket shumë i interesuar për shqiptarin, ngaqë e sheh si zëvendësues të Koulibaly, me senegalezin drejt largimit këtë verë.

Sidoqoftë, me sa duket vetë Kumbulla nuk është tërësisht i joshur për të zbarkuar në “San Paolo”. Juventusi, pavarësisht se ka shumë opsione energjike në rolin e shqiptarit, e ka në radarin e vet. Por, skuadra në “pole” për të siguruar shërbimet e 20-vjeçarit është Interi. Përveç ndonjë befasie të madhe, Kumbulla pritet të transferohet te zikaltrit në verë./newsport/

Dita që ndali Cristiano Ronaldon

Në shkurt, duke injoruar presionin, pasi ishte objektiv i disa thashethemeve për transferim, Kumbulla ishte çelësi i Hellas Verona për të mposhtur Juventusin 2-1. Në fakt, ai u pa duke fituar duele individuale kundër vetë Cristiano Ronaldos, duke demonstruar se tashmë është i përgatitur të ndërmarrë beteja të mëdha”, shkruan Mundo Deportivo.