Tirana arriti të merrte një fitore të rëndësishme kundër Vllaznisë 1-0, ndeshje e vlefshme për javën e 30-të të Superiores. Dy ishin momentet që shkodranët pretenduan për penallti në këtë sfidë, e cila ishte objekt moviole në panelin e emisionit “Skaner”.
Fillimisht Përgjoni ndërhyn ndaj Çobës, duke larguar sferën. Pikërisht për këtë moment kuqeblutë pretenduan 11-metërsh, por për Kreshnik Cjapin dhe gjyqtarët e VAR-it gjithçka ishte në rregull. Më pas në fundin e takimit, gjatë një krosimi nga e djathta, topi prek në dorën e Ardit Hilës që ishte në zonë.
Por, mesfushori bardheblu e ka dorën në pozicion natyral dhe këtë e tregojnë edhe në moviolën e emisionit në fjalë. Është specialisti i gjykimit që analizon të dy momentet.
“Në rastin e parë është Vllaznia që pretendon për një penallti. Përgjoni ndërhyn saktë ndaj Çobës. Shikoni, prek topin dhe i ndryshon drejtimin. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me 11-metërsh. Po ashtu në fundin e takimit, është sërish Vllaznia që pretendon për penallti.
Pas një krosimi në zonë, topi prek në dorën e Ardit Hilës. Por, siç e shihni dora është ngjitur me trupin në pozicion natyral. Nuk kemi të bëjmë me 11-metërsh pasi nuk ndryshohet vëllimi i trupit. Vendime të sakta të gjyqtarëve të kësaj ndeshje”, u shpreh Pregja në emisionin “Skaner”./newsport/