Erdhi verën e kaluar në Shkodër, firmosi një kontratë njëvjeçare, luajti disa ndeshje, shënoi dy gola dhe në janar të këtij viti, iu ndërpre kontrata nga ana e klubit kuqeblu.
Charles Buaku Atsina është rikthyer sërish të luajë në kampionatin shqiptar duke qenë tashmë pjesë e Kastriotit të Krujës, ndonëse edhe aty nuk po lë gjurmë me aktivizimin e tij.
Ajo që zbulohet dhe të bën përshtypje, është gjyqi që sulmuesi ganez ka hapur ndaj Vllaznisë.
Këtë e ka bërë të ditur vetë klubi shkodran përmes analizës-raport të publikuar sot nga ana e administratorit Lici dhe drejtori sportiv Firat ku thuhet:
“Ish- lojtari Astina pavarësisht se nuk është paraqitur në sezonin e kaluar, pandershmërisht, kërkon 50.000 euro dëmshpërblim. Ndërkohë avokati ynë po ndjek të gjitha rastet”.
Po cilat janë pretendimet e këtij lojtari, kontrata e të cilit u ndërpre nga klubi në janarin e këtij viti? Ai kërkon pagesat deri në fund të sezonit 2017-2018 dhe madje edhe pagesat për gjithë sezonin 2018-2019!!!
Se në bazë të çfarë logjike e kërkon sidomos këtë të fundit, kjo është e habitshme sepse aktualisht është pjesë e Kastriotit të Krujës.
Për më tepër kemi të bëjmë me një lojtar problemet e të cilit me Vllazninë, nisën nga vetë ai. Mbërriti në Shkodër me një javë vonesë pas pushimeve të fundvitit duke thyer çdo rregull e leje të dhënë, në një kohë që ekipi kishte shkuar për stërvitje në Mal të Zi.
Po ashtu, nuk pranoi që gjatë kësaj periudhe të dalë në stërvitje me ekipin “B” dhe pas shumë paralajmërimeve të bëra, drejtuesit e klubit duke parë që lojtari kishte shkelur gjitha pikat e kontratës dhe po ashtu, edhe ato të Kodit të punës të Republikës së Shqipërisë, vendosën ndërprerjen e kontratës së tij.
Megjithatë Atsina nuk qenka dakord dhe kërkon 50 mijë euro dëmshpërblim nga Vllaznia!!! Me siguri që të njëjtën gjë do të bëjë edhe kur të largohet nga Kastrioti.
© shkodrasport.com