Skënder Gega është prezantuar si trajneri i ri i Skënderbeut. Një nga teknikët që ka pasur shumë sukses vitet e fundit në elitë, tanimë do të drejtojë ekipin korçar.

Në prezencë të presidentit Ardian Takaj, ai tregoi se cilat ishin arsyet që e bindën për të qenë në krye të bardhekuqve. Vlerëson maksimalisht organikën që ka në dispozicion si dhe është besimplotë se Skënderbeu do të qëndrojë në elitë. Para gazetarëve, Skënder Gega tha:

“Ne jemi miq (me Takajn) se jemi një brez. Dashamirësia s’ka munguar duke qenë edhe kundërshtar në dy vitet e fundit. Është shumë e thjeshtë. Për mua është një profesion që e dashuroj. Për të gjithë gëzoj respekt. Korça ka histori.

E kam për nder dhe ndihem shumë i respektuar që të jem në krye të një skuadre si Korça. E kam me dëshirë dhe optimizëm. Ekipi ka elementë të rinj, futbolli do dhe pak fat me vete. Fakti që ndodhen në këtë klasifikim, tregon se ka probleme. Për mua është thelbësore që të besohet te unë.

Presioni? Unë kur kam qenë në vend tjetër, jam munduar të shmang presionet. Unë e shoh Skënderbeun si pretendent për të bërë hapa përpara. Unë mendoj dhe shpresoj që do t’ia dalim. Të shikojmë atë që është më e afërta, të dielën.

Organika? Duke shprehur respektin për të gjitha skuadra, ky kampionat është shumë i rivalizuar. Kam ardhur me presidentin Takaj në momente të vështira. Jam optimist sepse e ka grupin. I kam parë disa ndeshje, mbase diçka i ka munguar. Do të flas me lojtarët si grup, por edhe veç e veç. Duhet të besojmë te njëri-tjetri.

Laçi? Është e vërtetë, edhe me presidentin kemi folur për ecurinë dhe detajet. E kam ndjekur Memellin, kam qenë suport për të. Ka bërë punë të mirë. Kam informacion shumë të mirë sa i përket grupit. Është potenciali për të dhënë më tepër sepse janë djem të rinj. Mjafton të kesh këmbët dhe zemrën.

Asgjë s’mungon. Është ekip kampion, ka bërë histori, falë klubit dhe trajnerëve. Dua të besoj që të vazhdoj në të njëjtën rrugë. Ndeshja e Laçit është e vështirë. Jo pa meritë është aty ku është. Është një nga ekipet më të mira të Superligës. Do të mundohemi të bëjmë më të mirën tonë”, tha ai.