Dushan Vlahoviç është rikthyer të jetë vendimtar për Juven. Këtë sezon gjërat nuk kanë shkuar sipas planit, madje edhe kundër Frozinones ai e nisi nga stoli, por kjo nuk e pengoi që të vendoste fatet e ndeshjes, duke shënuar golin e fitores. Sulmuesi serb i Juves e pranon se e ka të vështirë që të jetë i kthjellët pasi gabon ndonjë rast flagrant ose ndonjë penallti, por është i bindur se me kalimin e javëve gjithçka do të përmirësohet dhe golat do të vijnë. Ndërkohë, ai njësoj si Alegri, “driblon” për titullin kampion dhe thotë se objektivi kryesor është pjesëmarrja në “Champions” sezonin tjetër.
Fitore e rëndësishme: hytë, shënuat dhe fituat… A jeni i lumtur?
Po, jam i lumtur. Të gjithë jemi të lumtur për këtë fitore të rëndësishme. Ishim të ndërgjegjshëm se Frozinone është një skuadër e shkëlqyer, e cila luan shumë mirë në shtëpi, sepse është fakt që deri tani kishte humbur vetëm kundër Napolit. Për këtë arsye, ishte shumë e rëndësishme të fitonim. Dhamë gjithçka dhe në fund fituam me meritë, por në çdo rast e përgëzoj Frozinonen për atë që po bën këtë vit.
Pse ju la në stol Alegri?
Zgjedhje teknike e trajnerit.
Si u ndjetë?
Është e vështirë të pranosh stolin, por nuk ka asnjë mllef ndaj trajnerit, përkundrazi. Unë jam profesionist dhe gjithmonë e vë veten në dispozicion të skuadrës. Jam gjithmonë në dispozicion të Alegrit. Qëllimi ishte që kur të futesha në fushë, të jepja maksimumin tim. Mendoj se kam bërë mirë dhe mund të kisha bërë edhe më mirë në rastin e parë që pata, por këtë do ta korrigjoj me punë në stërvitje. Më e rëndësishmja është që ne fituam dhe që skuadra bëri mirë. Tani le të festojmë siç duhet Krishtlindjen.
A ishit i kthjellët mjaftueshëm pas rastit të humbur?
Po, ndonjëherë është e vështirë të luash mirë kur ke humbur një rast të pastër, ose sidomos pasi ke humbur një penallti. E di që jam i ri dhe ndonjëherë e kam të vështirë ta menaxhoj situatën pas një gabimi, por po jap maksimumin dhe shpresoj të bëj edhe më mirë ndeshje pas ndeshje.
Si mund t’i korrigjoni disa gabime?
Duhet të stërvitem mirë, të dëgjoj trajnerin dhe të ndihmoj skuadrën. Dua të jem në dispozicion të ekipit dhe të bëj gjithçka që ata kanë nevojë. Kjo është gjëja më e rëndësishme.
A besoni te titulli kampion?
Të them të drejtën është një gjë e bukur që na pyesin gjithnjë e më shpesh për këtë trofe. Kjo do të thotë se po i bëjmë gjërat mirë. Natyrisht, Është një gjë e bukur, sepse ne të gjithë kemi ëndrra dhe synime, por ne e dimë se cili është qëllimi ynë i vërtetë. Po punojmë drejt një objektivi që nuk e kemi vendosur tani, por që pa filluar sezoni.
Cili është objektivi që keni vendosur, mund të na e thoni?
Objektivi kryesor është që të sigurojmë një vend në Ligën e Kampionëve, pastaj më vonë të shohim se çfarë mund të ndodhë…
Po objektivi personal cili është? E keni një të tillë, apo jo…?
Sinqerisht mendoj vetëm që të ndihmoj skuadrën dhe të jap më të mirën time. Shpresoj që golat do të vijnë, sepse edhe ata janë të rëndësishëm. Por unë duhet të luaj mirë për skuadrën dhe të jap kontributin tim.