Nëse ka një histori që e meriton të quhet “Çmenduria e shekullit”, ajo lidhet me F91 Dudelange, klubin e vogël nga Luksemburgu modest, që deri para pak vitesh ndonjë lidhje me futbollin e madh nuk kishte.
Vetëm 5 fitore në 134 ndeshje kualifikuese në Kupat e Botës, 119 humbje dhe 433 gola të pësuar, histori thuajse e njëjtë në kualifikueset e Europianëve, Luksemburgu ka qenë zakonisht “hambar” golash.
Megjithatë, prej një dekade gjithçka ka ndryshuar. Nuk bëhet fjalë për një transformim si ai i Islandës, natyrisht, por për një shtet me 600 mijë banorë, që futbollin e ka pasur një rangun e një hobi, ajo që po ndodh këto vitet e fundit është një mrekulli, edhe pse jo e rastësishme.
Në vitin 2006 Luksemburgu renditej në vendin e 195-të në renditjen e FIFA-s, pika më e ulët në historinë e vet. Që atëherë, shteti i vogël me tre gjuhë zyrtare ka ndërmarrë një revolucion që e ka ngjitur në vendin e 85-të në botë aktualisht, ndërsa rezultatet kanë ardhur në rritje konstante.
Nuk ka më shëtitje të kota nëpër Europë, luhet kudo për rezultat, mjafton të pyesni Didier Deschamps si ndihej shtatorin e shkuar, kur Luksemburgu ndalte “Gjelat” te barazimi pa gola brenda në Francë. Disa “amatorë” në letër, kundër Pogba me shokë, ata që do ngrinin Kupën e Botës në qiell pas pak muajsh!
Këta “amatorët” tashmë janë profesionistë dhe transformimi është i gjithanshëm, nga infrastruktura e deri tek organizimi i klubeve.
Jo rastësisht, F91 Dudelange në vitin 2012 eliminoi Salzburg-un e Red Bullit, skuadër milionerësh, që u mund 1-0 në Luksemburg dhe fitoi 4-3 në Austri, duke bërë që pronarët e klubit të vendosnin përfundimisht transferimin në Gjermani, te RB Leipzig, të turpëruar nga ajo që ndodhi në Austri.
Në tre sezonet e fundit Dudelange ka fituar titullin kampion në Luksemburg dhe është qartësisht superior, në një kampionat ku në fakt ka disa klube që po paraqiten mirë në Europë.
Dudelange është shumë hapa përpara, sepse në tre sezonet e fundit është eliminuar nga Qarabag, APOEL i Nikozisë dhe Vidi i Hungarisë, por gjithnjë duke luftuar deri në fund dhe duke mos u turpëruar asnjëherë, përkundrazi. 6 ndeshje, 2 barazime dhe vetëm një humbje me 2 gola diferencë!
Pas eliminimit në Champions, Dudelange u ndesh me Dritën e Gjilanit në Europa League dhe e eliminoi. Asgjë e madhe, fundja Kosova është në hapat e parë në futbollin profesionist, por më pas Dudelange eliminoi edhe Legian e Varshavës, duke e mundur brenda në Poloni! Më pas historia vazhdoi: dy fitore ndaj kampionëve në fuqi të Rumanisë, CFR Cluj, duke rrëmbyer duartrokitjet e gjithë stadiumit.
Pa harruar trajnerin Dino Toppmöller (i biri i Klaus Toppmöller), heroi i triumfit të pabesueshëm nga Cluj dhe kualifikimit për në grupet e Europa League ishte një emër i panjohur për shumicën e Europës deri tani: Danel Sinani.
Bëhet fjalë për një sulmues 21-vjeçar, i cili është rritur si futbollist te RFCU Luxembourg, ndërsa në vitin 2017 kaloi te Dudelange.
Një sezon shumë i mirë aty i vlejti grumbullimin me kombëtaren, ku ka një bilanc të pabesueshëm personal, sepse në 6 ndeshje ku ka luajtur, ka humbur vetëm një miqësore ndaj Austrisë, ndërsa vitin e shkuar ishte në fushë në barazimet kundër Bullgarisë e Francës.
Kundër Cluj Sinani pati edhe kulmin e karrierës, me një gol në ndeshjen e vajtjes në Luksemburg (2-0) dhe 2 gola në Rumani (fitore 3-2) duke bërë shenjën e pirjes së një gote, një mesazh i bukur për disa gazeta sportive në Rumani, që ditën para ndeshjes shkruanin se djaloshi i artë i Dudelange kishte probleme me alkoolin.
Në avionin që po kthente Dudelange në Luksemburg gjithë ekipi këndonte emrin e Danelit, i cili ka edhe një vëlla më të madh në moshë, 25-vjeçarin Dejvid Sinani, i cili kulmin e vet e ka pasur duke luajtur me Luksemburgun U-21.
Por kush është Danel Sinani, heroi i ri i Luksemburgut, i cili ka një emër që menjëherë të bën të mendosh se është shqiptar?
“Telesport” ka intervistuar talentin e Dudelange, i cili pas pak javësh do të sfidojë edhe Milan-in e madh në Europa League, duke ëndërruar të shënojë ndonjë gol që do t’i shtrojë rrugën drejt ndonjë kampionati të madh, ndoshta atij spanjoll, që është edhe ëndrra e tij.
Së pari, me Danelin biseduam në anglisht, pasi siç e thotë vetë ai, me shqipen nuk ka ndonjë lidhje, ndërkohë që vetë ndihet serb, pasi ka lindur në Beograd, edhe pse prindërit i ka nga Kosova.
– Përshëndetje Danel. Urime për paraqitjet madhështore në kupat e Europës, na ka bërë përshtypje emri juaj, për faktin se në Shqipëri nuk u njeh askush, por dukeni shqiptar.
-Përshëndetje, faleminderit. Në fakt, prindërit e mi kanë lindur e janë rritur në Dragash (Sharr) të Kosovës, por unë kam lindur në Beograd, ashtu si vëllai im Dejvid.
Është normale që askush nuk më njeh në Shqipëri, sepse nuk jam shqiptar. E di që të gjithë mendojnë se jam shqiptar, por realisht nuk kam asnjë lidhje me Shqipërinë, jam rritur në Serbi e Luksemburg dhe nuk e di gjuhën shqipe
– Kur keni shkuar në Luksemburg?
– Isha 5 vjeç kur u transferuam familjarisht në Luksemburg, ndaj kam 16 vite këtu dhe natyrisht jam i lidhur ngushtë me këtë vend, aq sa luaj edhe për kombëtaren e këtij vendi.
– Deri para disa vitesh Luksemburgu ishte i padukshëm në futbollin botëror, ndërsa tashmë po merr rezultate të mira në nivel klubesh. Çfarë ka ndodhur?
– Këto vitet e fundit shumë gjëra kanë ndryshuar në Luksemburg, për sa i përket futbollit. Mbi të gjitha, njerëzit po investojnë gjithnjë e më shumë në klubet e futbollit dhe federata ka një buxhet gjithnjë në rritje.
Klubet po investojnë jashtëzakonisht te futbollistët profesionistë, ose ish-futbollistë profesionistë të nivelit të lartë. Nëse hedh një sy në ekipin tonë, F91 Dudelange, ne kemi një organikë shumë më të pasur se klubet e tjera në Luksemburg.
Kemi afruar shumë lojtarë me eksperiencë, që na kanë ndihmuar jashtëzakonisht, mjafton të shohësh që Milan Biševac, ish-mbrojtësi i PSG-së dhe Lazio-s, luan për ne.
Pa këta lojtarë, nuk do kishim shkuar kaq larg. Përveç lojtarëve profesionistë, duhet edhe një trajner i mirë dhe për fat ne e kemi atë.
– Edhe kombëtarja është rritur ndjeshëm.
– E njëjta gjë ka ndodhur me kombëtaren. Lojtarët nga Luksemburgu gjithnjë e më shumë po transferohen jashtë, duke fituar eksperiencë dhe duke luajhtur në nivele të larta.
Federata dëshiron të njihet nga vendet e tjera dhe të paraqitet në nivele të mira, për t’u marrë seriozisht si një rival i përshtatshëm edhe për takime miqësore. Për ta arritur këtë, është investuar gjithnjë e më shumë. Për këtë arsye, po marrim rezultate si barazimi 0-0 në Francë.
– Për ju personalisht ka qenë një verë e pabesueshme, sidomos me golat ndaj Cluj. Nuk e morët në konsideratë transferimin në ndonjë kampionat më të rëndësishëm, meqë keni deklaruar se u pëlqen futbolli spanjoll?
– Në fakt, unë jam ende i ri dhe nuk dua ta humbas shansin që të luaj në grupet e Europa League, ku do të përballemi me emra si Milan, Olympiakos e Betis.
Janë sfida mjaft emocionuese për të gjithë ne, më të rëndësishmet në karrierë, ndaj mendojmë vetëm për to. Çfarë do të ndodhë më pas, nuk e kam vendosur ende, koha do ta tregojë./telesport/