Nga mendimi për të lënë futbollin dhe vazhduar si drejtor sportiv i Laçit te pendesa për t’u rikthyer sërish në fushë, por këtë herë mijëra kilometra larg Shqipërisë dhe vendlindjes së tij, Serbisë, pikërisht në Indi.
E ardhmja e ish-kapitenit të Laçit, Aleksandar Ignjatoviç, ka marrë një kthesë befasuese në ditët e fundit.
Një ofertë nga India ka bërë që 34-vjeçari serb të heqë dorë nga pozicioni që iu ofrua në klubin e Laçit dhe të vazhdojë karrierën me klubin e Ligës së Dytë në Azinë Jugore, Punjab FC.
Ignjatoviç ka nisur stërvitjen në Indi dhe pret të debutojë me skuadrën e re në javët e ardhshme.
NDESHJA – Pas dy humbjeve radhazi me Partizanin dhe Egnatian, te Laçi kërkojnë kthesën në ndeshjen e së dielës në orën 15:00 kundër Bylisit.
“Kthehemi sërish në fushën tonë ditën e diel. Djemtë kanë premtuar për të dhënë maksimumin, me qëllim për t’u kthyer te fitorja”, shkruhej ndër të tjera në faqen e Laçit në rrjetet sociale.
Për trajnerin Dejan Vukiçeviç koha nuk pret më, prandaj dhe ndaj ballshiotëve alternativa e vetme është fitorja. Gjasat janë që në këtë takim të marrë minuta edhe sulmuesi vlonjat, Vasil Shkurtaj.