Elbasani-Vllaznia do të jetë kryesfida e javës së 8-të në Superiore. Një “klasike” e futbollit tonë, që rikthehet pas thuajse një dekade në elitën e futbollit shqiptar.
Madje edhe forma aktuale dy ekipeve është goxha pozitive. Pasi të dy skuadrat pretendojnë për gjëra të mëdha këtë edicion. Një ndeshje e tillë dhe po ashtu forma aktuale ka tërhequr edhe vëmendjen e tifozëve. Mbështetësit nga Shkodra pritet të jenë në numër më të shumtë se asnjëherë këtë sezon në transfertën elbasanase.
Nga ajo çfarë mësohet, ultrasit kuqeblu janë organizuar si çdo fundjavë për ekipin e tyre të zemrës dhe nuk do mungojnë as kësaj radhe në shkallët e “Elbasan Arena”.
Gjithashtu nga sa është bërë e ditur prej disa ditësh, dy tifozëritë ultrase të dy skuadrave do ta ndjekin ndeshjen në të njëjtën tribunë, duke sjellë kështu një shembull për tifo skenën shqiptare. E duke garantuar një spektakël në tribuna, që pritet t’i japë një ngjyrë tjetër 90 minutave të së dielës në Elbasan.