Gjatë tryezës së djeshme të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit me përfaqësuesit e klubeve të Superiores në vigjilje të startit të kampionatit të ri, u diskutua edhe në lidhje me numrin e të huajve që do të lejohen në fushë në kampionatin e ardhshëm.
Dihet tashmë që tetë klube të Superiores(përveç Laçit dhe Kastriotit), kanë propozuar që të rritet numri i të huajve që të jenë në fushë nga katër në pesë.
Dhe, vendimi në lidhje me këtë kërkesë do të merret nesër në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Federatës. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, e konfirmoi këtë gjatë tryezës së djeshme.
Duket se kjo kërkesë do të plotësohet, pasi Kryetari i Komisionit të Superiores, Edvin Libohova, deklaroi se KE i ka miratuar gjithmonë kërkesat ku klubet janë shumicë.
Një vendim i tillë penalizon lojtarët e rinj vendës dhe akademitë, pasi nuk duhet harruar fakti që kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë nuk konsiderohen si lojtarë të huaj. Tashmë, pritet që nesër të merret vendimi zyrtar.