Partizani vazhdon përgatitjet anti-Vllaznia dhe si çdo ditë, edhe në seancën e djeshme stërvitore, impenjimi ka qenë maksimal nga të gjithë pjesëtarët e stafit dhe të skuadrës. S
fida kundër ekipit të Brdariç është shumë delikate dhe ndoshta më e rëndësishmja e këtij sezoni për Partizanin. Në “Elbasan Arena”, të kuqtë do të synojnë vetëm triumfin, për të shkurtuar diferencën në 6 pikë.
Ilir Daja ka një grup të plotë futbollistësh në dispozicion. Edhe blerja më e fundit, Ferhan Hasani, është stërvitur me grupin, por vështirë se mund të debutojë ndaj Vllaznisë, për shkak se vjen nga një dëmtim.
Ndërsa Stenio Zhunior, pritet të ketë më shumë minuta se dy ndeshjet e shkuara kundër Skënderbeut dhe Teutës. Për sfidën kundër Vllaznisë, Partizanit i rikthehet i gatshëm Jurgen Bardhi, i cili u ndëshkua me karton të kuq në derbi dhe mungoi ndaj Teutës.
Gjithashtu, rikthehet në stërvitje edhe braziliani Lukas Kardozo, i cili pati munguar për disa seanca stërvitore për shkak të problemeve personale. Grupi do të jetë i plotë për Dajën, i cili ka disa alternativa për formacionin titullar.