Armando Sadiku do të jetë pjesë e përfaqësueses shqiptare të futbollit për dy ndeshjet e tetorit kundër Turqisë dhe Moldavisë, nga të cilat do të përcaktohet edhe rrugëtimi i Shqipërisë drejt Euro 2020. Trajneri e di mirë se në këto sfida duhet medoemos fitore, ndaj ka planifikuar që në radhët e skuadrës të ketë sa më shumë njohës të mirë të rrjetës.

Sadiku është golashënuesi më i mirë kuqezi mes atyre që janë ende në aktivitet dhe ndonëse nuk është ende në formën e tij maksimale, Reja e sheh si një element i cili mund të japë diçka ndryshe në ndeshjet e radhës të kuqezinjve, aq më tepër që ka shënuar dy vite më parë në miqësoren ndaj Turqisë.

Ndaj Sadiku do të jetë përkrah Çikalleshit, Balajt e Manajt si alternativë kryesore për sulmin kuqezi në këto dy ndeshje.

Konfirmimi vjen tashmë edhe nga Spanja, ku mediat vendase bëjnë të ditur se Malaga nuk e llogarit sulmuesin, ashtu si edhe Keidi Baren, për takimin e javës së ardhshme ndaj Kadiz dhe insiston që të shtyhet ndeshja që ka në La Liga 2. /vipsport/

Pritet vetëm zyrtarizimi, Edi Reja kthen Armando Sadikun në kombëtare