Vllaznia, e cila të hënën do të luajë në finalen e Kupës së Shqipërisë përballë Skënderbeut, do të ketë së shpejti një pronar të ri, sponsorin aktual, Alban Xhaferin.

Si sponsori këtij sezoni të suksesshëm të skuadrës shkodrane, Xhaferi, i paraqitur në ankandin e hapur prej muajsh me firmat Albaphoto dhe Albasport, tashmë konsiderohet fitues me ofertën prej 65 milionësh lekësh të rinj.

Aktualisht, ankandi i hartuar në tri faza ka skualifikuar më parë për mungesë dokumentacioni dy ofertuesit e tjerë, Joni 5 dhe Almiro Gurakuqi bashkë me Carpathia Shpk. Këta të fundit kanë dërguar një ankesë duke e konsideruar si gabim njerëzor mangësinë e dokumentacionit në dosje, por gjithçka duket të jetë rrëzuar përfundimisht ditën e premte.

Top Channel shkruan se ka siguruar kthimin e përgjigjes ndaj këtij ofertuesi nga Bashkia Shkodër, ku sqarimi i mungesës së dokumentacionit, mbyllet me përgjigjen:

“Ankesa e paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomik “Almiro Gurakuqi”, person fizik dhe “Carpatha” SH.P.K, nuk qëndron dhe në këto kushte nuk merret parasysh.”

Kjo i jep fund sagës disamujore të pronësisë së Vllaznisë, e cila i kalon sponsorit aktual, Alban Xhaferi, me bashkimin e operatorëve ekonomikë Albaphoto dhe Albasport.

Për këtë do të pritet edhe zyrtarizimi në ditët në vazhdim nëse nuk do të ketë ndonjë akimimim brenda 7 ditësh në Komisionin e Prokurimit Publik nga grupi ankimues, që gjithsesi edhe në ofertën e tij financiare është më poshtë se sa shifra prej 65 milionë lekësh të rinj që ka ofruar kompania e mbetur e vetme dhe rrjedhimisht fituese e pronësisë së klubit Vllaznia.