Nga Endri ÇINARI

Një nga ndeshjet më spektakolare të javë së 7-të në Premier League ka qenë ajo e luajtur ditën e sotme mes Brighton dhe Totthenham. Një duel që përfundoi me shifrat 3-2 në favor të vendasve. Që arritën të përmbysnin fillimisht avantazhin e dyfishtë të londinezëve. Të cilët me golat e Johnson dhe Maddison arritën ta mbyllnin në shifrat 0-2 pjesën e parë.

Por “pulëbardhat” do arrinin të kthenin çdo gjë në favorin e tyre në fraksionin e dytë të lojës. Fillimisht Minteh do ngushtonte shifrat në minutën e 48-të. Pas 10 minutash do barazonte gjithçka Rutter për shifrat momentale 2-2. E ndërsa në të 66-tën do ndodhte kthimi i rezultatit për bardheblutë. Pasi do ishte Welbeck që me golin e tij do vuloste shifrat 3-2.

Për një 3 pikësh me mjaft vlera për ekipin e drejtuar nga Hurzeler. Që e ngjit në vendin e 6-të skuadrën e gjermanit në kuotën e 12 pikëve pas 7 raundeve. Ajo që ra në sy në këtë ndeshje ishte edhe debutimi absolut i Brajan Grudes në Premier League. Sulmuesi me origjinë nga Shkodra zbriti në fushën e blertë në minutën e 87-të të ndeshjes. Duke zënë kështu vendin e Minteh.

Në këtë mënyrë pritja për debutimin e 20-vjeçarit mori fund. Kjo pasi mëngjërashi kishte kaluar një problem fizik që nuk e kishte lejuar aktivizimin e tij më parë në Angli. Dhe këto janë vetëm minutat e para të sulmuesit në Premier League. I cili së fundmi është grumbulluar edhe nga Gjermania U-21 për ndeshjet që do zhvillohen në tetor.