Ditët kalojnë dhe pritjes po i vjen fundi. Së shpejti FSHF-ja do të zyrtarizojë edhe emrin e ri që do të pasojë Edi Rejën në krye të pankinës. Lista është ngushtuar së tepërmi dhe “Euroneës Albania” ka zbuluar dy kandidatët përfundimtarë për të marrë drejtimin e Shqipërisë.

Dilema është mes Kambiasos dhe Ruedës. Esteban Kambiaso është një ish-futbollist argjentinas me një karrierë mjaft të pasur, ku ka mbajtur veshur fanella me peshë si ato të Realit të Madridit dhe Interit, si dhe të Kombëtares së Argjentinës.

Por sa i përket trajnimit, 42-vjeçari ka provuar vetëm pozicionin e ndihmës-trajnerit.Ndërkohë Rueda vjen me një jetëshkrim të pasur në fushën e trajnerinit.

Kolumbiani 65-vjeçar ka përvojë të madhe në menaxhimin e Kombëtareve, teksa më parë ka drejtuar Kolumbinë, Kilin, Hondurasin, me të cilët ka pasur edhe pjesëmarrje në Kupën e Botës apo pozicione të larta në Kupën e Amerikës së Jugut. Mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjedhja e Federatës Shqiptare të Futbollit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/