Opinion nga FATBARDH JERA*
I përkas asaj familjeje me tradite, e kam veshur atë bluzë me krenari, kam djersitur për të, për sa kohë i përkisja fushës së blertë. Vazhdoj ta kem zemrën të lidhur me ato ngjyra kuqeblu, me klubin e futbollit të kryeqendrës së veriut, me Vllazninë e traditës dhe historisë së madhe.
E meqë jemi te historia, i përkas një brezi që nuk ka nevojë të këshillohet me historianët për të përpunuar një gjykim të vetin për të tashmen, por edhe të ardhmen e Vllaznisë. Ngaqë, sikurse e thashë më lart, kam kaluar një dekadë të rinisë pjesës më të bukur të jetës sime në këtë klub futbolli. Sot, në një tjetër pozicion, por aspak larg saj shpirtërisht apo në konflikt interesi, e përcjell me shqetësim situatën e skuadrës, që si rrallëherë më parë rrezikon mbijetesën. Shpresoj te fitoret e njëpasnjëshme nën drejtimin e trajnerit malazez, Haxhiosmanoviç, që nuk hezitoi të vinte nga fqinji përtej kufirit dhe i vuri shpatullat Vllaznisë në momentin më kritik të saj kur të tjerët nuk pranuan t’i afroheshin, për të siguruar qëndrimin mes më të mirëve. Kjo është njëra anë e medaljes në këtë moment, por ana tjetër, gjykoj se është e pashmangshme fakti që ka të bëjë me të ardhmen e Vllaznisë. Në duart e bashkisë apo në duart e një presidence, kjo nuk është një dilemë që s’e ka të ditur përgjigjen më të mirë. Unë në këtë moment hoqa një paralele me
Vllazninë, por një situatë të tillë kanë edhe jo pak klube të tjera. Sepse, sezoni tjetër vjen shumë shpejt… Realiteti i futbollit tonë e ka dëshmuar se asnjë pushtet lokal, sado para të akordojë dhe sado i përkushtuar mund të jetë, nuk mund t’i dalë hakut klubit të futbollit në varësi të vet. Kjo për shumë arsye që nuk është momenti t’i nënvizojmë këtu. Në realitetin tonë politik, ku bën pjesë edhe sporti, është shkuar deri në privatizim të
hidrocentraleve, ndërkohë që klubet e futbollit vijojnë të jenë edhe shtet, edhe privat, apo e kundërta; as shtet, apo as privat. I tillë është ligji për sportin, të tilla janë mënyrat alla-shqiptare të menaxhimit të klubeve të futbollit, që më shumë se askush tjetër këtë sezon duket se i kanë vuajtur Tirana dhe Vllaznia. Dy superfuqi në çdo drejtim, për nga tradita, trofetë dhe historia në futbollin shqiptar, por që rrezikojnë mbijetesën. Ndërkohë
që klube të tjera më minore, por që kanë një zot në krye të punëve, pikërisht presidentin, synojnë Kupat e Europës. Mjafton ky këndvështrim ilustrues i realiteteve aktuale për të kuptuar edhe vetë kryebashkiakët respektivë se, klubet e futbollit duhet të privatizohen. Por pikërisht këtu shfaqet edhe shqetësimi im më i madh. Privatizim po, por në çfarë duarsh? Fjala vjen, një histori gati 100-vjeçare, pjesë e së cilës jam edhe vetë me shumë e shumë breza lojtarësh e drejtuesish, si Vllaznia, a mund t’i besohet një presidenti pa asnjë histori, por që sot për sot paska disa para? Dhe pa të keq, ka nga këta njerëz që arrijnë deri aty sa me pompozitet mediatik të vetëkandidohen për të parin e këtij apo atij klubi. Pikërisht këtu duhet bërë kujdesi shumë më i madh, çka është në duart e bashkive. Të paktën, të atyre që ende i kanë në “llogari” klubet e futbollit. Si në rastin e Vllaznisë, në emër të së cilës predikohet pa të keq shumëkush në një moment dobësie të saj, kur lufton për mbijetesë, pa ditur se bëhet fjalë për një “markë” e jo një plaçkë që mund të blihet në “tregun e gabit”. Ndokush madje shkon edhe më tej, sa të thotë se fillimisht mund të bëka
ligjin në Parlament, dhe më pas të privatizojë “x” apo “y” klub. Në fakt, në emër të futbollit flasin lloj lloj njerëzish, të lidhur apo fare me të, sepse mbi të gjitha është një sport ku duan të bien më shumë në sy ata njerëz që sot apo nesër kanë nevojë për vota. Vllaznia, fjala vjen, e ka të freskët këtë lloj përdorimi që iu bë në prag të këtij sezoni futbollistik dhe e la më pas në mes të katër rrugëve. Pasojat u panë javë pas jave të kampionatit, deri këtu, kur rrezikohet mbijetesa. Ndaj, në kohën kur po flitet për një ligj të ri për sportin, por edhe kur pushtetet vendore po kërkojnë “presidentë” për t’i evituar pakënaqësitë derivate të qytetarëve tifozë, shqetësimi parësor duhet të jetë: privatizim i plotë po, por jo në duar të pasigurta! Jo kushdo që vetafrohet mund të jetë i denjë për historinë gati 100- vjeçare të një klubi apo të një tjetri, ndaj “barrikada” kryesore duhet vendosur që në ligj. Derisa ai të materializohet, sepse politika ka shumë halle të tjera me të cilat po merret, bashkitë e kanë për mision jo vetëm institucional por edhe moral, që të maten 100 herë para se t’ua besojnë aksionet e klubeve të futbollit presidentëve të nesërm. Dhe këtë durim të sforcuar le të themi e ka demonstruar Tirana, e cila prej kohësh është gjendur si bashki nën trysninë e dhënies së aksioneve të “tortës” së klubit, por deri tani nuk është shpërndarë asgjë nga paketa. Qoftë edhe në momente krize a mungese rrugëdaljeje përmes “thërrimesh” nga taksat e qytetarëve.
* Autori është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së