Komisioni i Pavarur i Prokurimit Publik ka hedhur poshtë thuajse plotësisht kriteret e vendosura nga Bashkia Shkodër për privatizimin e Vllaznia sh.a., duke pranuar ankimimin e bërë nga “Colosseo Construktion” për këtë çështje, si një prej palëve të interesuara dhe që ka aplikuar për privatizimin e klubit shkodran.
Komisioni i Prokurimit Publik u ka dhënë të drejtë pretendimeve të “Colosseo Construktion” me përfaqësues ish-presidentin e Vllaznisë, Valter Fushaj. Në këtë mënyrë, Bashkia Shkodër është e detyruar tashmë që të gjithë pikat për të cilat Komisioni i Prokurimit Publik ka dhënë vendimin e tij duhet që t’i ndryshojë dhe ta nisë nga fillimi procesin e privatizimit.
Në vendimin e KPP-së thuhet: “Është vendosur detyrimi i Bashkisë Shkodër për modifikimin e dokumenteve të ankandit për sa kohë që kushtet e vendosura nga Bashkia Shkodër bien në kundërshtim me ligjin, ulin konkurrencën dhe janë kritere kontradiktore, janë kritere konfuze dhe të paqarta si rezultat i informacioneve të paplota”.
Më tej, në vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik të nisur për Bashkinë Shkodër sqarohen disa nga pikat dhe kriteret që duhet ndryshuar, duke marrë parasysh kërkesën e ankimuesit. Sa u përket sponsorizimeve të ngjashme në një vlerë deri në 40% të vlerës fillestare, KPP shprehet që ky është një kriter në kundërshtim me frymën e ligjit si dhe kufizon e ul konkurrencën mes ofertave si dhe shkon përtej asaj çfarë është e nevojshme për të arritur synimin.
Për kriterin e vendosur nga bashkia në lidhje me eksperiencat e mëparshme, ku kërkohen që financimet dhe menaxhimet në fushën e sportit do të merren parasysh vetëm ato të realizuara në tri vitet e fundit, nga KPP është vendosur heqja e termit “minimalisht në 3 vitet e fundit”.
Për sa kohë që, nëse bashkia është e interesuar në eksperiencat e mëparshme, nuk ka pse i kufizon këto eksperienca vetëm në tri vitet e fundit, si dhe e parëndësishme është se kur janë kryer eksperiencat e ngjashme. Kështu u vendos heqja e termit “minimalisht në 3 vitet e fundit” për sa kohë që përveçse kufizon konkurrencën krijon paqartësi dhe konfuzion tek ofertuesit.
Po ashtu, është pranuar edhe ankesa sa i përket faktit se cilat do të konsiderohen financime në sporte të ngjashme duke vendosur modifikimin dhe sqarimin në dokumentet e ankandit të këtij informacioni. Kjo vjen për sa kohë që kriteri në mënyrën si është shprehur nga bashkia është i paqartë, i pasaktësuar dhe krijon konfuzion edhe në procesin e ofertave dhe vlerësimit.
Është vendosur gjithashtu edhe detyrimi për modifikimin e dokumentit të ankandit, pasi dokumentacioni në lidhje me vlerën reale të shitjes është një informacion i paqartë dhe i paplotë, pasi nuk përcaktohen dhe saktësohen në asnjë moment detyrimet faktike dhe aktuale që KF Vllaznia ka ndaj të tretëve.
Fakte që bien në kundërshtim me frymën e ligjit, i cili kërkon trajtim të njëjtë për të gjithë kandidatët dhe ofertuesit në procedurat e ankandit, në mënyrë që të kenë një panoramë të plotë dhe të qartë mbi të drejtat dhe detyrimet që klubi ka ndaj të tretëve.
Pak a shumë, ky është thelbi i vendimit të argumentuar të KPP-së, i cili i ka dhënë pjesërisht të drejtë kompanisë “Colosseo Construktion”. Vendimi i KPP-së është marrë më 13 prill dhe brenda 10 ditëve nga ajo datë, Bashkia Shkodër është e detyruar që t’i kthejë përgjigje Komisionit të Prokurimit Publik për zbatimin e vendimit duke dokumentuar veprimet e kryera./panorama-sport/