Nga Endri ÇINARI

Vllaznia u mposht në javën e 33-të të Superiores me rezultatin 1-0 në transfertën e Ballshit ndaj Bylis. Gjithçka u vendos nga një gol i “ish-it” të sfidës, Da Silva i cili pas një veprimi të bukur teknik, goditi fort me të majtën. Duke i lënë pak kohë për reagim portierit Jukaj, i cili ishte i detyruar të nxirrte topin nga rrjeta. Por një humbje e tillë i rri “ngushtë” kuqebluve.

Të cilët tashmë kanë një “finale” në fundjavë përballë Dinamos. Ku dueli ndaj bluve mund të jetë shansi i fundit që Vllaznia mund të synojë kapjen e dy vendeve të para. E në këto momente vlen vetëm fitorja për 9 herë kampionët e vendit. Por në një sfidë kaq vendimtare dhe delikate, për Brdariç dhe stafin e tij lind detyra për të formatuar mbrojtjen dhe konkretisht qendrën e saj, shkruan shkodrasport.com

Kjo pasi Melos Bajrami do jetë një mungesë e sigurt kundër Dinamos. Me ish-mbrojtësin e Skënderbeut që u ndëshkua me karton të kuq në sfidën ndaj Bylis. Ku që në minutën e 25-të la skuadrën me 10 futbollistë dhe automatikisht nuk do jetë pjesë e sfidës pasardhëse. Përveç kosovarit, një dyshim i madh qëndron edhe mbi gjendjen e qendër mbrojtësit tjetër titullar, Milos Stojanoviç.

Serbi mungoi ndaj Bylis për shkak të një lëndimit fizik, ku në vendin e tij u aktivizua Repaj. Megjithatë gjendja e tij do shikohet në ditët në vijim nëse do jetë apo jo pjesë e sfidës me Dinamon. Një “dhimbje koke” për Brdariç që duhet të bëjë llogaritë në fundjavë ndoshta pa dyshen e tij të mbrojtësve titullarë.(www.shkodrasport.com)