Koha nuk pret dhe ndeshja me Parti zanin është te dera për shkodranët (luhet të premten e 13 janarit), ndërsa trajnerit Mirel Josa i duhet të bëjë llogari me dy mungesa të sigurta në qendër të mbrojtjes, pikërisht Darko Bulatoviç dhe Marko Juriç. I pari vijon fazën e riaftësimit në Malin e Zi, që prej ndërhyrjes kirurgjikale që bëri në muajin nëntor 2022.
Të paktën edhe gjatë janarit, stafi teknik nuk pritet ta ketë të gatshëm për lojë qendërmbrojtësin, ndërsa Juriç e humbet sfidën me “demat” për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve të verdhë. Në pritje të rikthimit me grupin në stërvitje të Dajan Shehit, i cili gjithashtu vjen pas një dëmtimi dhe mendohet se do të jetë gati për ndeshjen me Partizanin, në klubin shkodran po vlerësojnë seriozisht situatën me mbrojtjen.
Dëmtimet, pezullimet dhe për më tepër që mbeten edhe 21 javë kampionat për t’u luajtur, duke përfshirë këtu edhe Kupën, detyrojnë klubin të futet patjetër në merkato për një mbrojtës. Aktualisht një mundësi është rikthimi i Mevlan Adilit, i cili e njeh mirë ambientin dhe do të ishte një zgjedhje ideale në këtë moment.
28-vjeçari e ka prishur kontratën me klubin rus, FK SKA-Khabarovsk, dhe tashmë është futbollist i lirë në treg. Në klubin shkodran nuk konfirmojnë nisjen e bisedimeve, por “Panorama Sport” mëson se drejtuesit po e mendojnë seriozisht një ofertë për mbrojtësin, për një kontratë 18-mujore.
Megjithatë, kjo do të shikohet më qartë në ditët në vijim, pasi Adili po shikon edhe mundësi të tjera, kryesisht në Maqedoninë e Veriut. Janë përfolur së fundmi edhe Tirana e Partizani, por gjithsesi qendërmbrojtësi nuk kërkon të nxitohet, paçka se në Shkodër e mirëpresin rikthimin e tij.
Ndërkohë, shumë të interesuar në klub janë edhe për afrimin e një sulmuesi tipik. Së fundmi është rikthyer në skenë edhe Rubin Hebaj, i cili u largua nga Teuta dhe mund të jetë një mundësi e mirë për ofensivën shkodrane.
Megjithatë, drejtuesit duket se po presin të shikojnë edhe disa pista të tjera që ua kanë ofruar menaxherë të ndryshëm për qendërsulmues të lirë në treg gjatë kësaj periudhe.