Ditët e para të vitit 2021 pritet të ndisn me një lëvizje të dyfishtë shumë të rëndësishme të futbollistëve shqiptarë në kampionatin turk të futbollit. Një prej klubeve më të njohur në këtë kampionat, Beshiktashit, do t’u bashkohen dy futbollistë të cilët vetëm në edicionin e kaluar u larguan nga Superiorja.
Mediat turke kanë bërë të ditur se që nga data 1 janar, të gjithë futbollistët e Menemenspor mund të largohen si lojtarë të lirë nga ky klub, pasi atje ka vonesa të mëdha me pagat. Klubi ka bërë të ditur se situata financiare nuk është nga më të mirat dhe është në pamundësi për të kënaqur futbollistët, duke u hapur rrugë që të largohen pa pengesa.
Dy ndër të parët janë Gentian Selmani dhe David Domgjoni, të cilët janë në bisedime me Beshiktashin. Mediat turke kanë treguar se drejtori teknik i Beshiktashit kishte biseduar me Selmanin dhe përfaqësuesit e tij. Ekziston një akord parimor për kalimin e tij te skuadra e Stambollit si lojtar i lirë dhe pritet që marrëveshja të finalizohet në ditët e para të janarit.
Ndërkohë, përfaqësuesit e Domgjonit ia kishin propozuar klubit të njohur turk edhe mbrojtësin, me një akord që mund të arrihet shpejt pasi futbollisti gjithashtu do të largohet me parametër zero nga Menemenspor.
Kësisoj, për Selmanin e Domgjonin, pritet që nga java e ardhsnme të fillojë një etapë shumë e rëndësishme e karrierës, pasi do të bëhen pjesë e një klubi shumë të njohur, me objektiva e pritshmëri më të mëdha. Padyshim edhe një mundësi e jashtëzakonshme për të dy lojtarët që të bëhen pjesë e futbollit të rëndësishëm. /vipsport/