Kushtet e vështira atmosferikë që po mbizotërojnë prej disa ditësh në Shkodër, i kanë prishur jo pak punë ekipit të Vllaznisë. Ditën e djeshme por edhe sot, kuqeblutë janë stërvitur në kalçeto. Ka qenë një zgjidhje e detyruar sepse të gjitha ambjentet sportive të hapura në këtë qytet por edhe rrethina, janë të mbuluara nga bora.

Trajneri Lika dhe futbollistët ditën e sotme kanë zhvilluar seancën e rradhës në “Bahçallek Arena” dhe aty me siguri do të jenë edhe të hënën sërish.

Kjo ngaqë nesër ekipi është pushim dhe në ditën e parë të javës që vjen, parashikohet që moti të jetë përsëri i tillë. Temperaturat e ulëta pritet të shoqërojnë Veriun e Shqipërisë edhe javën që vjen dhe madje mund të ketë sërish reshje bore.

Kjo do ta vështirësojë edhe më shumë situatën tek Vllaznia e cila në këto kushte, do të ketë probleme me vijueshmërinë e stërvitjes.

Ditët kalojnë dhe ndeshja e parë me Kamzën për kupë po afron, prandaj dhe kuqeblutë duhet të fillojnë të mendojnë për të.
© shkodrasport.com