Pavarësisht problemeve të shfaqura në takimin e fundit me Kastriotin, drejtuesit e Vllaznisë dhe stafi teknik shprehin besimin e plotë te portieri malazez, Mirosllav Vujadinoviç. Kritikat e drejtuesve të ekipit kanë qenë të forta ndaj lojtarit, madje ato kanë shkuar deri në gjëra teknike. Nga sa mësohet nga ana e drejtuesve, paraqitja e Vujadinoviçit në takimin e fundit ka lidhje me problemet shëndetësore të babait të tij. Vetë numri dy i skuadrës shkodrane, Samuel Nikaj, e ka shprehur këtë fakt të dhënë nga lojtari në analizën e zhvilluar ditën e hënë. Pas analizës, drejtuesit e Vllaznisë i kanë dhënë një mbështetje të plotë lojtarit të tyre, duket i kërkuar atij që ta harrojë takimin me Kastriotin, por të jetë ai i përhershmi në përballjen me Partizanin.

“Vujadinoviç është një portier nga më të mirët në Superiore. Ai ka kaluar një gjendje jo të mirë psikologjike në takimin me Kastriotin, por ne të gjithë kemi besimin e plotë se në sfida vendimtare, siç është për ne ajo me Partizanin, portieri do të jetë përsëri një nga pikat tona më të forta. Ky është mendimi i të gjithëve”,- deklaroi dje zv.trajneri Samuel Nikaj. Jo vetëm Nikaj, por edhe trajneri Canaj dhe përgatitësi i portierëve Avenir Dani, kanë besim te Vujadinoviç.
Formacioni – Trajneri Canaj po shikon të gjitha mundësitë për të bërë lëvizjet e duhura për sa i përket përzgjedhjes së formacionit ndaj Partizanit. Gabimet e bëra, sidomos nga mbrojtja në Krujë, e detyrojnë Agim Canajn të bëjë ndonjë lëvizje të mundshme në formacionin anti-Partizan. Për këtë takim tekniku Canaj do të ketë të gatshëm të gjithë lojtarët e tij. Jo vetëm Bardulla dhe Baci, që u dëmtuan në takimin e fundit, por edhe Shtubina, që ishte i pamundur për transfertën e Krujës. Për të dielën stafi teknik ka edhe një forcë më tepër, atë të Elvin Beqirit. Kapiteni Beqiri po arrin formë optimale dhe kjo do të bëjë që edhe ai do të jetë një alternativë për formacionin. Megjithatë, deri në momentet e fundit tekniku nuk kërkon të japë një mendim për përzgjedhjen që do të bëjë apo mënyrën se si do të luajë Vllaznia ndaj Partizanit.
Admir URUÇI