Kanë nisur që në janar dhe ende nuk kanë marrë zgjidhje. Madje, jo vetëm kaq por çështja e volejbollit të femrave të Vllaznisë tashmë ka përfunduar në Prokurorinë e Shkodrës. Një gjë të tillë e ka konfirmuar sot për mediat njëri prej trajnerëve të këtij ekipi, Adrian Mikopli, në një konferencë për shtyp të dhënë.

“Kam marrë shkak për këtë konferencë fillimisht nga një deklaratë e trajnerit Artan Kalaja ditët e fundit i cili ka të gjithë të drejtën e tij në ato çfarë pretendon, por nga ana tjetër, nga disa veprime të mëtejshme që kanë ndodhur, sigurisht që është përmendur emri im dhe prandaj dua të sqaroj shumë gjëra çfarë kanë ndodhur tek volejbolli i Vllaznisë këto muajt e fundit.

Komisioni Disiplinor i ngritur për këto probleme ka vendosur që unë të paralajmërohem për shkarkim nga detyra, sepse gjoja kam munguar 7 ditë në stërvitje. Një vërejtje që nuk është e drejtë mendoj unë sepse prej datës 7 janar nuk kam munguar as edhe një ditë në stërvitje. Kam takuar edhe kryetaren e Bashkisë pasi fillova të kisha këto probleme.

Më dukej absurde, kur unë dënohesha ngaqë nuk kisha dalë 7 ditë në stërvitje, ndërkohë që kolegu im, z. Besnik Lisha që nga shtatori deri në dhjetor të 2019 ka munguar në stërvitje. Po ashtu edhe nga shkurti deri në qershor, ai sërish ka munguar në stërvitje sepse nuk ka qenë në stërvitje e këtë mund ta vërtetoni në sistemin TIMS sepse ai nuk ka qenë fare në Shqipëri.

Janë shumë gjëra që kanë dalë në emrin tim dhe prandaj do iu kisha kërkuar trajtim profesional të kësaj çështje. Kam shumë gjëra për të thënë. Kam shumë prova, disqe, inçizime, shkresa e fakte që unë i kam për Prokurorinë. U detyrova të marrë këtë hap, në pamundësi të zgjidhjes së kësaj çështje brenda institucionit të Bashkisë”- ka thene Mikopli.

Sipas tij, janë shumë probleme që janë konstatuar tek ky ekip dhe ai fajësuar drejtorin e klubit Mark Kroqi dhe trajnerin tjetër Besnik Lisha, por edhe drejtuesit e Bashkisë Shkodër për mosdhënien zgjidhje të këtyre problemeve.

Por ditët e fundit ndërkohë, 10 prej volejbollisteve të këtij ekipi kanë depozituar në Bashkinë Shkodër një kërkesë ku kërkojnë largimin e Adrian Mikoplit si trajner i këtij ekipi. Në lidhje me këtë kërkesë, vetë ky i fundit është shprehur kështu sot:

“E kam vlerësuar këtë kërkesë të vajzave, kuptohet të shtyra nga dyshja Kroqi- Lisha, por nga ana tjetër jo të gjitha vajzat janë të këtij mendimi por janë shtyrë ta firmosin atë letër, megjithatë unë e kam marrë një vendim të cilin dhe po e bëj publik.

Nga ajo ditë kur vajzat kanë firmosur atë shkresë, unë kam vendosur se nuk do të jem më pjesë e trajnimit në Bashki, por do të jem pjesë e fortë e tregimeve të forta institucionale dhe do ta çoj deri në fund të drejtën time. Por unë nuk pranoj që vajzat të kapen forcërisht dhe të detyrohen të dalin e të firmosin, në një kohë që ata më shkruajnë të kundërtën dhe po jua bëj prezent mesazhin që më dërgon njëra prej tyre.

Nga sot nuk dua të jem më pjesë në çatinë e Bashkisë Shkodër e cila pikon vend e pavend dhe nuk dua të ndotem, por le të ndoten të tjerët. Kjo është hera e dytë që më largojnë nga volejbolli. Herën e parë nga ekipi i meshkujve kur ma prishën ekipin dhe përsëri ka një emër personi që e bëri këtë gjë dhe tashmë herën e dytë me vajzat e volejbollit që janë të detyruara nga zoti Besnik Lisha dhe zoti Mark Kroqi. Por nëse më vonë ka për të patur një drejtues të mirë në shumësportëshin Vllaznia dhe në drejtorin e sportit në Bashki, ndoshta mund të rikthehem sërish, kuptohet me dëshirën e tyre”- shprehet trajneri ne fjale.

Po çfarë ka ndodhur në mes tre ish- volejbollistëve të viteve ’80 të cilët në fakt deri para pak kohësh kanë qenë shokë e miq të mirë? Mikopli e ka një përgjigje për këtë gjë kur thotë: “Të dy këta persona që përmenda, vërtetë kanë qenë miqtë e mi, por del jashtë moralit, kur del jashtë kontekstit të një grupi të punës dhe të problemeve të forta që kanë krijuar, nuk mundem të jem bashkëjetues dhe bashkëveprues me to dhe veprimet e tyre”.

I pyetur nëse do ta çojë çështjen në Prokurori ashtu siç e përmendi, Mikopli përgjigjet: “Unë kam qenë para dy ditësh në Prokurori dhe aty jam informuar se këtë çështje kryetarja e Bashkisë, zj. Voltana Ademi e ka çuar që në muajin shkurt dhe mu bë qejfi për këtë gjë. Unë nuk kam pasë dijeni, ndonëse kam kërkuar informacion herëpashere dhe në fakt kjo më habiti sepse kam qenë unë njeriu që i kam akuzuar këto persona me fakte dhe unë nuk kisha informacion. Takova prokuroren e caktuar për këtë çështje dhe u informova se çështja ka nisur por nuk e di sa do zgjatë dhe çfarë do të bëhet. Unë do të jem gjithmonë në dispozicion të saj me provat dhe faktet që zotëroj”
www.shkodrasport.com