Drejtuesit e ekipit të Vllaznisë po vijojnë kërkimet për plotësimin e skuadrës për sezonin e ri. Deri më tani, po ndiqen disa pista për të gjetur elementet e duhur dhe specifikisht kërkimet janë përqendruar në 2 lojtarë të repartit ofensiv dhe të një mesfushori. Të paktën kështu shprehen edhe jashtë citimit zyrtar punonjësit dhe personat përgjegjës në skuadër, referuar merkatos.
PROBLEME NË SULM
Nëse për mbrojtjen e mesfushën kuqeblutë nuk po vuajnë në merkato për të gjetur akordet me elementet e piketuar, ajo që është më problem në këtë periudhë mbetet sulmi. Vllaznia ka dështuar në disa mundësi që të kishte pronë të veten disa sulmues që ishin përzgjedhur prej stafit të klubit.
Një prej tyre ishte pikërisht braziliani Silvio Rodrigez Zhunior. Sulmuesi që spikati me golat e shënuar me Vllazninë në Kategorinë e Parë në sezonin që shkoi, i detyroi drejtuesit e klubit që të negocionin me të që në ditët e para të merkatos, por “hendeku” ishte çështja financiare dhe mungesa e dakordësisë në shifra.
I NDANË 1000 EURO NË MUAJ
Drejtuesit e klubit, edhe pas përfundimit të bisedimeve, kërkuan kontakt me lojtarin dhe negociuan në vazhdimësi me të, duke besuar se ai do të kthehej në Shkodër. “Panorama Sport” mëson se sulmuesi brazilian kishte kërkuar pas përfundimit të sezonit një pagë prej 3500 eurosh në muaj.
Klubi ishte në gjendje t’i jepte vetëm 2500 euro. Pasi u zvarritën bisedimet dhe te Vllaznia menduan se braziliani do të pranonte të firmoste me këtë shifër, ai gjeti akordin me klubin sllovak, Zlate Moravce.