Katër ndeshjet e luajtura pas rifillimit të futbollit kanë nxjerrë në pah disa nga problemet kryesore të ekipit të Vllaznisë, ku më kryesori është padiskutim mungesa e përgatitjes fizike.
Vetëm në ndeshjen e parë, atë me Flamurtarin, Vllaznia ndoshta ishte diçka më mirë se kundërshtari, por në tre ballafaqimet e tjera, ato ndaj Laçit, Teutës dhe Bylisit është parë qartë se këto të fundit ishin shumë më lart fizikisht se kuqeblutë.
Në fakt, kapiteni Lika fillimisht por më pas edhe pjestarë të tjerë të ekipit shkodran patën deklaruar se kundërshtarët e tyre ishin stërvitur fshehurazi gjatë periudhës së pandemisë duke thyer rregullat e vendosura nga institucionet shtetërore. Por në Shqipëri, askush nuk don t’ia dijë për këtë gjë.
Fusha e lojës po tregon pabarazi në mes skuadrave dhe kjo nuk është e drejtë. Por nëse në këto katër ndeshjet e para pati diferenca, ajo mund të thellohet edhe më shumë në javët e ardhshme, për më tepër që edhe temperaturat sa vijnë e rriten.
Vllaznia nuk ka kohë as për të marrë frymë. Luajti të hënën ndaj ballshiotëve, do të luajë të premten në Tiranë, pastaj të mërkurën për kupë në Durrës dhe fundjavë tjetër pastaj në Shkodër me Teutën. Me siguri që lojtarët do të ndjejnë probleme dhe ndoshta do të nisin edhe dëmtimet.
Trajneri Dedja e ka bërë të qartë se nuk mund të ndryshojë asgjë në aspektin fizik të lojtarëve, por thjesht të punojë në aspektin psikologjik me ta, për ta çuar deri në fund kampionatin, por nuk do ta kenë të lehtë. Shkëputja për më tepër se dy muaj nga stërvitja, ka lënë pasoja të mëdha tek futbollistët e Vllaznisë.
www.shkodrasport.com