Refik Halili dhe Pashk Laska janë proceduar penalisht në gjendje të lirë nga Policia e Tiranës. Ky procedim, sipas policisë, vjen pasi Presidenti i Klubit të Futbollit të Tiranës, Halili dhe ai i Klubit të Futbollit të Laçit, u konfliktuan fizikisht me njëri-tjetrin pranë sheshit “Shqiponja” në kryeqytet.

“Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.6, proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit R. H., dhe P. L. Procedimi ndaj këtyre shtetasve filloi pasi, në zonën e ish-doganës së vjetër, pranë sheshit “Shqiponja” janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin. Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë.

Mbeten të paqarta rrethanat dhe shkaqet e kësaj përplasjeje fizike. Megjithatë, sfida e kampionatit mes Tiranës dhe Laçit të shtunën, nuk u mbyll e qetë. Në korridoret e stadiumit “Selman Stërmasi” pati tensione, ku u përfshi edhe presidenti i Laçit, Pashk Laska. Për këtë ngjarje ai u ndëshkua me 3 ndeshje pezullim, ku nuk munguan edhe ndëshkime të tjera si për Tiranën dhe Laçin.